Ashtu siç dhe ishte vendosur më parë, Altin Dumani, kreu i Prokurorisë së Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, do të marrë kompetencat e komisionerit publik.
Për pasojë, institucioni që ai drejton do të marrë edhe zyrat në të cilat kanë punuar prej gjashtë viteve anëtarët e vlerësimit të magjistratëve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Është një vendim i Këshillit të Ministrave që ua kalon nën administrim SPAK dhe dikasterit të Drejtësisë ambientet e KPKsë, vendim që mësohet që e nis zbatimin në ditën e parë të vitit që vjen. Shkalla e parë e vetingut ka përfunduar mandatin por edhe punën me rivlerësimin e njerëzve të drejtësisë, duke e kaluar stafetën në shkallën e dytë, në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit në të cilën gjenden e 42 magjistratë.
VENDIMI
Referuar Këshilli i Ministrave mësohet se është vendosur tashmë që të kalohen nën administrim të SPAK dhe të Ministrisë së Drejtësisë zyrat e rivlerësimit të gjyqtarëve mbasi nga 1 janari 2025 do të marrë kompetencat e komisionerëve publikë kryeprokurori i posaçëm Altin Dumani.
Mbarimi në fund të këtij viti i mandatit të komisionerëve publikë Florian Ballhysa dhe Irena Nino pasohet me marrjen e stafetës nga kryeprokurori i posaçëm i cili do të përfaqësojë çështjet e apeluara në KPA. Ky vendim vjen me mbarimin e mandatit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe të Komisionereve publikë që në 31 dhjetor shkrihen. Mandati i vazhdimit të vetingut në shkallën e dytë ka si afat qershorin 2026. Ndërkohë gjatë 6 viteve proces kontrolli të trefishtë, në shkallën e parë vetingut u kontrolluan 805 funksionarë prej të cilëve 268 nuk u konfirmuan në detyrë. Aktualisht kanë mbetur për tu shqyrtuar në KPA mbasi janë apeluar 42 gjyqtarë dhe prokurorë. Nga ana tjetër në Gjykatën e Strasburgut janë ankuan 130 gjyqtarë dhe prokurorë të shkarkuar në Shqipëri gjatë procesit të vetingut. Megjithatë, mbi pretendimet e ankuesve deri më tani Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut është shprehur me vetëm një vendim për rikthim në detyrë të prokurores Antoneta Sevdari, për të cilën procesi që ishte kryer në vendin e saj u vlerësua si disproporcional.