Pa Gjimshitin titullar, por Atalanta ishte perfekte përballë Strum Graz, me ekipin bergamask që doli me 3 pikë pas suksesit 5-0. “Azzurrtët” nuk e vendosën ndeshjen në asnjë moment në dyshim, me Retegui-n që realizoi golin e parë që në minutën e 12-të.
Fraksioni i dytë ishte “zjarr”, me Atalanta-n që zhvilloi një presion asfiksues në zonë e ekipit austriak. Në minutën e 58-të ishte Pasalic që dyfishoi shifrat. Pak minuta më vonë, De Ketelaere që përfitoi nga një rrëmujë në zonë duke dërguar shifrat në 3-0.
Me Strum Graz të dorëzuar totalisht, Atalanta gjeti rrugën e rrjetës edhe dy herë të tjera në shtesë. Nuk mund të mungonte në këtë “banket” golash “Topi i Artë” afrikan, Lookman në minutën e 90-të realizoi golin e katërt, ndërsa në limitet e shtesës ishte Brescianini që kompletoi “manitan” e golave.
Me këtë sukses, Atalanta siguron minimalisht prezencën në fazën “play-off”, por mund të kualifikohet edhe direkt në sfidën e fundit teksa përballen me Barcelonën.
Në përfundim të ndeshjes, Gasperini theksoi se kjo fitore erdhi në momentin e duhur duke u ndalur më pas te përballja me Barcelonën: “Do të luajmë kundër një skuadre shumë të fortë, por të mos harrojmë, deri atëherë na presin edhe sfida në forta në kampionat. Takimi kundër Barcelonës është një sfidë plot prestigj, nuk kemi luajtur kurrë kundër tyre këto vite, për ne do të jetë një stimul i madh”, theksoi Gasperini.
Në këtë takim, Berat Gjimshiti u hodh në fushë si zëvendësues në minutën e 71-të, ku praktikisht gjithçka kishte përfunduar. Paraqitja e tij, për sa kohë ishte në fushë, u vlerësua nga mediat italiane me notën 6.