Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësimin për veprimet e fundit të autoriteteve të Kosovës, që përfshijnë mbylljen e strukturave paralele në veri të mbështetura nga Serbia.

Në një deklaratë, BE thekson se këto veprime bien në kundërshtim me detyrimet e Kosovës në kuadër të procesit të normalizimit

“Veprimet e fundit të Kosovës kundër dhe mbyllja e strukturave të mbështetura nga Serbia, të kryera në mes të fushatës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, bien ndesh me detyrimet e saj ndaj Bashkimit Evropian në kuadër të procesit të normalizimit. EULEX-i është duke monitoruar sjelljen e këtyre veprimeve të fundit në përputhje me mandatin e tij. Statusi i këtyre strukturave duhet të zgjidhet përmes Dialogut dhe jo përmes veprimeve të njëanshme,” thuhet në deklaratë.

BE-ja i bën thirrje Kosovës të respektojë angazhimet e saj dhe të qëndrojë konsistente me detyrimet që ka marrë përsipër, duke theksuar se veprimet e fundit mund të dëmtojnë përpjekjet për uljen e tensioneve në veri të vendit.

EULEX-i, misioni i BE-së në Kosovë, është duke monitoruar këto zhvillime, ndërsa BE-ja rikujton se masat ndaj Kosovës do të hiqen vetëm nëse Kosova ndërmerr hapa konkretë për de-përshkallëzimin e situatës.

“Kosova duhet të demonstrojë dhe të qëndrojë konsistente me detyrimet e saj në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja dhe riangazhimit të saj të fundit ndaj tij. Përderisa, siç thuhet në konkluzionet e Këshillit të vitit 2024 për zgjerimin, BE-ja gradualisht do të heqë masat ndaj Kosovës paralelisht me hapat e mëtejshëm të Kosovës për të de-përshkallëzuar tensionet në veri, këto veprime nuk janë të favorshme për këtë qëllim”, thuhet në deklaratën e BE.

Një ditë më parë, Kosova mbylli institucionet paralele të Serbisë në dhjetë komuna, në Lipjan, Obiliq, Prishtinë, Fushë Kosovë, Vushtrri, Novobërdë, Kamenicë, Viti, Rahovec, Skënderaj si dhe posta e zyre tatimore.