Rritja e përdorimit të kokës në Greqi konfirmon indirekt një proces që ka ndodhur vitet e fundit në shkallë globale; pra kokaina është gjithnjë e më shumë e aksesueshme. Madje dhe më e lirë! Nevoja për të shmangur patrullimet e Agjencisë Amerikane të Antidrogës në brigjet e Kolumbisë, bëri që unazat ballkanike dhe evropiane të gjenin rrugë të tjera, përmes vendeve si Kosta Rika, Paraguaj dhe mbi të gjitha nga Ekuadori. Nga portet më të qeta – dhe më pak të kontrolluara – në Amerikën Latine, trafikantët italianë, rusë, turq dhe mbi të gjitha shqiptarë siguruan mundësinë për të transportuar tonelata kokainë nga Kolumbia, Bolivia, Peruja etj. Droga fshihet në anije që mbanin banane ose produkte të tjera ushqimore, të destinuara për në Holandë, Belgjikë ose Spanjë.
Perspektiva e fitimeve të përmasave të paimagjinueshme neutralizon çdo frikë ose frenim dhe inkurajon zgjuarsinë. Duke qenë se tregtarët shqiptarë blejnë kokainë nga Kolumbia për 2000 dollarë për kilogram dhe në Evropë mund ta shesin për 10 deri në 15 herë më shumë, atëherë ata kanë më shumë se një nxitje të fortë për të kërkuar më mirë në hartën e botës për të gjetur kanale të pazbuluara më parë. Përveç kësaj, tregu evropian, i cili llogaritet në 12 miliardë euro në vit, është i pangopur, pra kërkojnë gjithnjë e më shumë kokainë.
Shqiptarët dominojnë
Bandat shqiptare lëvizën në mënyrë më dinamike dhe efikase se shumica e konkurrentëve të tyre dhe arritën të merrnin “frenat” në terren. Ndonëse i burgosur (aktualisht në Turqi dhe në pritje të ekstradimit në Shqipëri), Rexhepi, sipas një raporti të gjerë të gazetës amerikane “The ëashington Post” që hedh një vështrim gjithëpërfshirës të situatës aktuale në trafikun e drogës, shfaqet si bosi i ri i madh i fuqishëm i një narko-shumëkombëshe.
Ai u arrestua në Holandë
Jeta e tij është si skenar filmi. Dritan Rexhepi e nisi nga Ekuadori ngjitjen e tij duke u prezantuar si biznesmen dhe investitor grek. E gjitha kjo ka ndodhur në Ekuador, në vitin 2011, kur Rexhepi shkoi në Ekuador duke ndjekur një trend të kohës që ishte zhvilluar atëherë në botën e krimit shqiptar. Për më tepër, dobësia e autoriteteve vendase kishte krijuar kushte jashtëzakonisht të favorshme për njerëz me aspirata si Dritan Rexhepi. Atje, ai mund të blinte pa as më të voglin problem prona të paluajtshme, të krijonte kompani të ligjshme për të filluar punën me veprimtarinë e tij të paligjshme.
Natyrisht, Rexhepi nuk emigroi në Ekuador me precedentë të pastër kriminalë nga jeta e tij e mëparshme. Në Shqipëri, si vrasës me pagesë, ai ishte përfshirë në vrasjen e një polici dhe një civili në vitin 1999, një krim i dyfishtë për të cilin u arrestua në vitin 2006. Megjithatë, ai u arratis menjëherë nga paraburgimi dhe filloi të endet në Ballkan dhe Itali si një i arratisur. Shqiptarët dhe italianët e kërkonin, por ai u arrestua përfundimisht në Holandë për vepra të trafikut të drogës.
Rexhepi u ekstradua në Itali, ku u dënua me 13 vite burg, u arratis dhe u arrestua sërish, këtë herë në Spanjë, ku autoritetet e ekstraduan në Belgjikë. Pas një tjetër arratisjeje, “i pakapshmi” vendosi të shpërngulej në Ekuador, një vend që nuk prodhon vetë kokainë, por e merr nga Kolumbia dhe Peruja.
Bosi nga qelia
Shumë shpejt Rexhepi krijoi një organizatë të rregullt kriminale, duke aplikuar metodat që tashmë njihen; një zinxhir biznesesh që trafikonin qindra ton kokainë dhe pastronin para të paligjshme. Megjithatë, Rexhepi kishte horizonte të hapura dhe vizione më të mëdha, kjo është arsyeja pse ai u angazhua në një përpjekje sistematike për të depërtuar në shërbimet qeveritare të Ekuadorit, me ryshfet dhe korrupsion. Ai u bashkua me banditë vendase dhe madje përdori zëvendëskonsullin shqiptar në Ekuador si bashkëpunëtor të tij – megjithëse, në fund, përfundoi sërish pas hekurave të burgut.
Në vitin 2014, ai u arrestua në qytetin më të madh të vendit, Guayaquil, dhe u dënua me 13 vjet burg për trafik droge. Por në realitet, dënimi specifik për Rexhepin ishte diçka si ndryshim i ambientit të punës, pasi nga brenda qelisë ai iu përkushtua pa pushtim forcimit dhe zgjerimit të mëtejshëm të rrjetit të tij. Në vitin 2015, ai u përpoq të apelonte vendimin e shkallës së parë kundër tij, duke përmendur një shkelje të drejtësisë. Ai pretendoi se emri i tij i vërtetë ishte Lulzim Murataj dhe se ishte në burg gabimisht, vetëm sepse Policia e kishte ngatërruar me Dritan Rexhepin.
“Nuk ka asnjë provë më të vogël kundër meje, as edhe një fotografi të vetme që më lidh me krimin për të cilin jam akuzuar,”- thoshte në atë kohë Rexhepi. Dhe duke e ekzagjeruar me të njëjtin ton dramatik të të pafajshmit, shtoi: Mëkati im i vetëm është se jam shtetas shqiptar. Erdha në Ekuador sepse vendi reklamohet se po tërheq investime të huaja.
Pavarësisht nga statusi i vetë Rexhepit në Ekuador, organizata e tij vazhdoi të përhapte tentakulat e saj në mbarë globin, duke krijuar stacione tranziti në Greqi, Rumani, Hungari, Itali, Spanjë, Holandë, Gjermani, Shqipëri dhe natyrisht në Dubai. Në të gjitha këto vende, organet ligjzbatuese arrestuan 20 bashkëpunëtorë të Rexhepit, por ky i fundit nuk ishte aspak i trembur.
Në gusht të vitit 2021, duke tërhequr fijet e duhura në prapaskenë, ai iu ndryshua dënimi në arrest shtëpie me një transmetues dixhital (“byzylyk”), arsyetimi i përdorur ishte “për arsye shëndetësore”. Vetëm pak ditë më vonë i hoqën edhe byzylykun nga këmba pasi mendohej se Rexhepi nuk do të kishte mundësi që të arratisej dhe do të zbatonte kushtin që të shkonte në Komisariat çdo 15 ditë. Rastësisht, menjëherë pasi kandidati presidencial ekuadorian Fernando Villasencio kritikoi ashpër vendimin e autoriteteve për lirimin e Rexhepit, ai u vra nga një person i panjohur dhe ngjarja nuk është zbardhur as sot e kësaj dite.
Fantazma ‘Bello’
Megjithatë, “narco” shqiptar u arrestua sërish në nëntor 2023, pas presioneve të forta nga jashtë. Agjencitë italiane dhe shqiptare kërkuan nga Ekuadori që të ekstradonin Rexhepin, por këtë nuk e gjetën në shtëpi. Ai u gjend në Turqi, duke jetuar në një rezidencë luksoze buzë detit në një periferi të Stambollit. Ai kishte udhëtuar atje me një pasaportë kolumbiane duke përdorur emrin Benjamin Omar Pérez García. Ai u gjet nga agjentët italianë të Policisë, të cilët njoftuan kolegët e tyre turq.
Ndonëse lajmet se çfarë do të ndodhë më pas me Rexepin janë të paqarta, qeveria turke thuhet se ka miratuar ekstradimin e tij në Shqipëri. Por sërish ka të ngjarë që herët a vonë narkoja shqiptare të gjejë një mënyrë për të rifituar lirinë e lëvizjes edhe me akuzat që ka mbi shpinë.