Deputetja e Partisë Socialiste, njëherësh nënkryetare e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit, Evis Kushi reagoi sot lidhur me procesin e përzgjedhjes së kandidatëve për drejtor të përgjithshëm të Radio Televizionit Shqiptar.

Në një postim në rrjetet sociale, Kushi tha se “nuk ndodh shpesh të jem dakord me kolegen Ina Zhupa, por pasi jam njohur me zhvillimet në RTSH nuk i heq dot asnjë presje reagimit të saj”.

“I bëj thirrje Këshillit Drejtues të kthejë menjëherë situatën në normalitet dhe të lejojë garën e hapur, transparente e meritokratike. E kundërta do të ishte vetëasgjësim i Këshillit dhe Parlamenti do të detyrohej të ndërhynte në mbrojtje të lirisë dhe të drejtës së garës, duke marrë masa drastike që ne nuk i dëshirojmë”, theksoi Kushi.

Këshilli Drejtues i Radio Televizionit Shqiptar po vijon procesin e përzgjedhjes së kandidatëve për drejtor të përgjithshëm të RTSH. Në mbledhjen e djeshme, anëtarët e Këshillit, në zbatim të ligjit për mediet audiovizive dhe të statutit të Radio Televizionit Shqiptar, me votim të fshehtë votuan për kandidatët që dorëzuan dokumentacionin e tyre brenda afatit të përcaktuar.

Lidhur me këtë proces, ka reaguar kryetarja e Komisionit Parlamentar të Medias, deputetja demokrate Ina Zhupa, e cila u shpreh se “çmenduria e Këshillit Drejtues së RTSH, skualifikon nga gara kandidatët që plotësojnë kriteret”.