Është ora 23:00, dhe Emanueli, vetëm 17 vjeç, hap derën e shtëpisë pas një dite të gjatë me dy turne pune. Ai jep një përshëndetje të thjeshtë, “Si je?”, ndërsa lodhja ia rëndon fjalët. Vera për të nuk ishte thjesht pushime; ajo ishte përpjekje për t’u pavarësuar.

Një turn në një bar kafe në qendër të Tiranës nga ora 17:00 deri në 22:30 dhe një tjetër në një mensë lagjeje nga 11:00 deri në 15:30 mbushnin ditët e tij. Por, si çdo gjimnazist, edhe Emanueli iu rikthye bankave të shkollës në shtator, duke përpjekur të ndërthurë punën, shkollën dhe ëndrrat e tij për të ardhmen.

Në librin “21 Lessons for the 21st Century”, Yuval Noah Harari thotë: “E vetmja gjë që dihet me siguri për të ardhmen është ndryshimi.” Për gjeneratën Z, kjo është më shumë se një thënie – është një realitet që ata e përqafojnë çdo ditë.

Si Emanueli, brezi Z nuk ndjek rregullat tradicionale; ata ndërtojnë një model të ri që përfshin sakrificën për pavarësi, aftësinë për t’u përshtatur dhe forcën për të balancuar shumë përgjegjësi njëkohësisht. Ky brez ka lindur me kufij më të hapur, jo vetëm fizikë, por edhe kulturorë e dixhitalë.

Në Shqipëri, brezi Z po e vendos veten në qendër të prioriteteve të veta, duke i dhënë përparësi mirëqenies personale dhe zhvillimit, ndërsa puna shihet si një mjet për të arritur qëllime dhe jo si qëllim në vetvete.

Financiarisht, ata preferojnë të kursejnë me zgjuarsi, por kur shpenzojnë, zgjedhin përvoja unike – si udhëtimet dhe pasionet – në vend të mallrave materiale. Ky trend përfaqëson një ndryshim të qartë në mënyrën se si ky brez percepton jetën dhe suksesin.

Brezi Z, i njohur gjithashtu si “Gen Z”, përfshin individët e lindur midis viteve 1997 dhe 2012 (në disa klasifikime deri në 2010 ose 2015). Ky brez vjen pas Millennials (Brezi Y) dhe është i pari që ka kaluar gjithë jetën në një epokë të dominuar nga teknologjia, interneti dhe mediat sociale.

Sipas Censit të Popullsisë dhe Banesave 2023, në Shqipëri numërohen rreth 286,123 persona që i përkasin brezit Z (të lindur midis viteve 1997-2012), duke përfshirë këtu dy grupmosha kryesore: 15-19 vjeç, me një total prej 142,943 personash (72,011 meshkuj dhe 70,932 femra), dhe 20-24 vjeç, me 143,180 persona (69,354 meshkuj dhe 73,826 femra).