Është shtyrë sërish seanca gjyqësore në çështjen e padisë për shpifje të ngritur nga ish-drejtori i Policisë së Shkodrës, Edmond Sula, kundër deputetit Gazment Bardhi. Seanca e radhës u la për datën 30 janar, në ora 09:00. Vetë Bardhi sërish nuk është i pranishëm në seancë por u përfaqësua nga avokatët e tij.
Në nisje të seancës avokati i Edmond Sulës u shpreh se klienti i tij nuk kërkon dëmshpërblim por vetëm dënimin e Bardhit, pasi i ka dëmtuar imazhin për shkak të fyerjes së bërë botërisht.
‘Deklaroj se tërhiqen nga kerkesa për dëmshpërblim për dëmin e shkaktuar, por kërkojnë vetëm dënimin e të akuzuarit Gazmend Bardhi për veprat penale të fyerjes dhe shpifjes së bërë botërisht’,-thotë avokati.
Nga Foltorja e Kuvendit të Shqipërisë, Bardhi tha se ish-kryepolici i Shkodrës ishte caktuar në detyrë nga Pëllumb Gjoka, fakt që sipas tij e kishte mësuar nga zbardhja e bisedave të përgjuara në aplikacionin “SkyECC”. Bardhi lexoi edhe kodet nga ku ishte marrë bashkëbisedimi, duke zbuluar se një prej tyre ishte biznesmeni Pëllumb Gjoka. Tjetëri, bazuar në të dhënat që ka nxjerrë vetë SPAK, u konfirmua nga ZËRI se ishte Ardit Hasanbegaj, i cili në datën 16 shkurt 2020 mbante postin e zv/drejtorit të Policisë Shkodër.
Por çfarë përmbanin bisedat?
“Unë po të pyes; si ta quajnë drejtorin e policisë së Shkodrës, e di emrin? Ta them unë kush ta ka emëruar. Kodi pin i Sky EÇ, DGLXJM: O vëlla ka llafe për atë mikun tënd ministër të Brendshëm. Di gjë ti? Përgjigjet kodi sky 7142D9: Po por kam frikë se nuk e bën! Ndërhyn prapë kodi DGLXJM: Mua Mondi më duhet një dimër aty vëlla. Në fakt Mondi është drejtori aktual i policisë Shkodër që u emërua një muaj pasi ky miku i ministrit të Brendshëm është përfaqësues i një prej bandave më të rrezikshme në vend u bë ministër i Brendshëm,”-tha Bardhi në Kuvend.
Përgjigjia e parë kundër tij erdhi vetëm disa orë më pas, nga vetë ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha. Nga Kuvendi, ministri i ri i cilësoi si gënjeshtra pretendimet e demokratit, ndërsa Sulaj paralajmëroi betejën ligjore ndaj demokratit. Pas denoncimit të Bardhit në Kuvend,ish-drejtori i Policisë premtoi përballje në gjyq me Bardhin.