Prezantimi i një megaprojekti nga ana e Jared Kushner dhe Ivanka Trump për ishullin e Sazanit, bëri bujë rreth 1 vit më parë. Sot, Qeveria i ka dhënë statusin e investitorit strategjik kompanisë së lidhur me dhëndrin e presidentit të zgjedhur të SHBA, Donald Trump, që do të ndërtojë resortin luksoz.
Komiteti i Investimeve Strategjike ka vlerësuar se projekti i kompanisë amerikane “Atlantic Incubation Partners LLC” është në përputhje me kriteret ligjore sa i takon zhvillimit të zonave me përparësi.
Sipas dokumentit të siguruar nga BalkanWeb, vlera e investimit të projektit turistik “Resorti turistik-Ishulli i Sazanit” i plotëson kriteret e parashikuara nga legjislacioni për investimet strategjike dhe parashikohet të jetë 1.4 miliardë euro.
Projekti i investimit synohet të zhvillohet në ishullin e Sazanit, Bashkia Vlorë, i cili ka një sipërfaqe totale prej 562 ha dhe me një sipërfaqe ndërtimi prej 45 ha.
Vendimi i KIS parashikon një sërë hapash që do ndërmerren kryesisht nga institucionet shtetërore në Shqipëri, për të ndihmuar kompaninë në sigurimin e pronës, dokumentacionin e nevojshëm dhe veprime të tjera që pritet të përmbyllen në tre muajt në vijim. Kompania nga ana tjetër do duhet të nënshkruajë një kontratë me Koorporatën e Investimeve Strategjike dhe Albanian Seaports Development Company sh.a ndërsa do duhet të sigurojë me investimin e vet ujin, energjinë e të ngjashme.
***
Planet për ndërtimin e një resorti turistik luksoz në Sazan dhe një tjetri në Zvërnec nga Kushner dhe kompanitë e lidhura me të, u bënë publike në fillim të vitit që shkoi dhe kryeministri Edi Rama foli hapur në favor të tyre ndërsa i tha Nju Jork Times se interesimi i kompanisë së Kushner e bënte atë “krenar dhe të lumtur”. Projektet financohen nga kompania e investimeve e Kushner Affinity Partners, e cila mbështetet në fonde nga qeveria e Arabisë Saudite.