Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka mbërritur në ambientet e SPAK, për t’u marrë në pyetje nga prokurorët në lidhje me dosjen e hetimit të CEZ-DIA dhe lobimin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ai është thirrur të jetë në SPAK në prani të avokatit mbrojtës. Ish-presidenti Meta do të merret në pyetje si person nën hetim, ndërsa ndodhet në paraburgim prej 21 tetorit 2024.
Sipas SPAK, në cilësinë e Kryetarit të Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, nuk ka deklaruar një shumë prej 463 mijë dollarë nga lobimi që ka bërë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kjo shumë thekson SPAK nuk është pasqyruar në bilancet e subjektit politik Lëvizja Socialiste për Integrim, të depozituara pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
“Përgjatë periudhës 2016-2017, Ilir Meta. me cilësinë e Kryetarit të Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, ka lidhur dhe ekzekutuar kontrata për shërbimi konsulence dhe lobimi me kompanitë Global Security and Inovative Solution LLC dhe Grupi McKeon Inc në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nga hetimi rezulton se një pjesë e financimit të kontratave është bërë me transferta bankare nga llogaritë e subjektit politik, Lëvizja Socialiste për Integrim, ndërkohë që shuma prej 463.546,26 USD nuk është transferuar nga llogaritë bankare të këtij subjekti politik. Po kështu rezulton se kjo shumë monetare, e cila nuk është transferuar nga llogaritë bankare të forcës politike nuk është pasqyruar në bilancet e subjektit politik Lëvizja Socialiste për Integrim, të depozituara pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”, thuhet në njoftimin e SPAK.