Kryeministri Edi Rama së bashku me ministren e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu ishin të pranishëm këtë të mërkurë në institutin Harry Fultz, tashmë edhe institucion akademik i Institutit të Teknologjisë Rochester (RIT) që renditet ndër universitetet më të mira në SHBA
Gjatë fjalës së tij, kryeministri përmendi rëndësinë e teknologjisë, duke shtuar se synimi është që të ndërtohet një ‘ekosistem’ teknologjie për studimin dhe punësimin. Ai tha se kërkesa e sipërmarrjeve shqiptare për punonjës me dije në teknologji është rritur ndjeshëm dhe pagat janë të larta.
Rama përmendi projektet e reja nga Parku i madh teknologjik Durana, Vlora Tech Space te Liceu francez teknologjik që do të hapet në Korçë.
“Një nga vendimet që kemi sot është përfundimi i procesit për parkun e madh teknologjik Durana, hapësirë e re me legjislacion të posaçëm që do të mundësojë tërheqjen e kompanive apo start up-eve për të zhvilluar aktivitetin e tyre në territorin e këtij parku. Ata që do të kryejnë studimet në Institutin teknologjik Rochester në këtë fushë është horizont i ri, ashtu sikundër do të jetë edhe qendra tjetër Vlora Tech Space, në qendër të Vlorës, një godinë e papërdorur në mes të sheshit po transformohet në një hapësirë që do të vihet në funksion të teknologjisë. Do të hapim në shtator dyert e shkollës ekselente franceze në fushën e teknologjisë. Paralelisht edhe Liceun francez për teknologjinë në Korçë, një projekt që po e ndjekim së bashku me presidentin francez, një zotim i bërë ndaj një komuniteti qytetarësh në Korçë. Do të vazhdojmë me TUMO edhe në Shkodër, Elbasan. Po krijohet një ekosistem i tërë për të mundësuar studimin e teknologjisë dhe punësimin e mirë paguar falë njohjes së teknologjisë.”, u shpreh mes të tjerash Rama.