Qeveria e Kosovës e ka miratuar të premten rritjen e pensioneve për të gjitha kategoritë e dala nga lufta e fundit në Kosovë, për 20 për qind. Kabineti i kryeministrit Albin Kurti e miratoi përditësimi e një aneksi në Ligjin për kategoritë e luftës gjatë një takimi të premten, për ta mundësuar rritjen e premtuar tetorin e kaluar.

“Siç patëm njoftuar në tetor, sot, edhe zyrtarisht, do të aprovohet rritja për 20 për qind mbi shumën aktuale për familjet e dëshmorëve, invalidët, veteranët, pjesëtarë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, viktimat e dhunës seksuale dhe viktimat civile”, tha Kurti.

Ministri i Financave i Kosovës, Hekuran Murati, tha se rritja për të gjitha kategoritë e veteranëve, invalidëve dhe viktimave të dhunës seksuale do të jetë 20 për qind mbi shumën e tanishme pensionale.
Për disa kategori ka rritje edhe përtej shkallës prej 20 për qind, tha ministri. Kategoritë që përfitojnë rritje mbi 20 për qind, janë familjet e dëshmorëve të UÇK-së që kanë dy dëshmorë ose më tepër, familjet e të zhdukurve të UÇK-së që kanë mbi dy të zhdukur dhe familjet e viktimave civile, tha ai.

Kjo është rritja e parë në 10 vjetët e fundit për këto kategori, prej kur ishin bërë këto skema më 2014, tha ai.