Maltin Repishtin e kam njohur në Minneapolis të Amerikës, në fillim të këtij shekulli. Një djalë i jashtëzakonshëm, një shpirt plot buqeta dashurie dhe respekti, një shkodran me humor që ta rrëfente botën e vet duke qeshur, një profesionist që shkëlqente dhe nuk harronte kurrë të telefononte pacientët e tij në çdo ditëlindje.

Rastësia na bashkoi në Minnesota. Ime shoqe më tha një ditë se kishte gjetur një shqiptar në Minneapolis.

– Nuk ka mundësi, – i thashë, – nuk ka shqiptarë këtu.

Ajo qeshi dhe më shpjegoi:

– Një klienti im më tha se kisha aksentin si të doktorit të tij. Është shqiptar, më tha. Doktori më i mirë që kam pasur.

Ajo më zgjati një copë letër me numrin e Maltin Repishtit. I telefonova dhe lashë një mesazh. Pas dy ditësh ra zilja. Një zë i ëmbël më tha:

-Unë jam Maltini Repishti…

Ishte telefonata më e bukur që kam përjetuar larg Atdheut. Kisha gjetur një mik të rrallë që “më shoi” etjen shqiptare.

Prej asaj dite ne mbetëm miq. Kemi kaluar sa e sa momente të bukura me Dr. Maltin Repishtin, duke kujtuar copëza nga Shqipëria që kishim lënë pas pa mëdyshje. Ai ishte student i Dhjetorit, por që nuk krenohej për këtë.

– E vetmja gjë e mirë e asaj lëvizjeje, – më rrëfente Maltini, – ishte mundësia për të ikur.

Ai erdhi në Amerikë me vetëm 40 dollarë në xhep dhe, falë punës së tij, u bë një doktor milioner, që jetoi gjithë ëndrrat e veta.

Më dhemb në shpirt ikja e beftë e Dr. Maltin Repishtit. Ai ishte njeriu i dimensioneve moderne dhe shkodrani që sillte humor në hapësirat e qyteteve binjake në Minnesota. Për mua, Maltin Repishti ishte simbol i një brezi ëndërrimtarësh që “rrëmbyen shansin” në Perëndim dhe nuk u ndien kurrë “të ardhur” apo emigrantë. Maltini, që në takimin e parë, të dukej sikur kishte lindur në këtë anë të Atlantikut: një intelektual me ëndrra të mëdha dhe fantazi plot dritë. Ai ndihmoi me dhjetëra shqiptarë që të ishin “si Maltini i Shkodrës”: të suksesshëm.

Nuk do të kem dot kurrë një mik të tillë, të rrallë në Amerikë, si Maltin Repishti. Nga afër kam lexuar botën e madhe ëndërrimtare të këtij shkodrani, që të bënte të ndiheshe ndryshe që në takimin e parë.
Mbeten në kujtesën time momentet pikante të Maltinit, që e deshëm të gjithë. Të gjithë kërkonin të ishin “miq me Maltinin”, ndërsa ai mençurisht zgjidhte miqtë dhe shokët që donte. Jam dëshmitar i sa e sa momenteve ku ai shpaloste çiltërisht ëndrrat e veta. Kujtoj kur ai kujdesej në Minneapolis për babanë e vet të sëmurë.

-Nuk dua të ikë pa më parë mua të martuar, – do të më thoshte një ditë me lot në sy.

Njeriu lind që të ëndërrojë dhe të prekë ëndrrën e vet. Në fakt, Maltin Repishti i “preku me dorë” të gjitha ëndrrat dhe projektet e veta. Ashtu siç dëshironte vetë. Kujtoj: ndërsa ishte në Gjermani për të ndjekur një Kampionat Botëror të Futbollit, Maltini më telefonoi:

-Shefqet, e gjeta vajzën me të cilën do të martohem. Është shqiptare…

Ai më rrëfente në detaje se si, në një mbrëmje në Çikago, një vajzë e bukur kishte “verbuar” vështrimin e qartë të djaloshit Maltin. Kur u kthye, do të takoheshim dhe, plot zjarr, do të më rrëfente:

-Është një vajzë e mrekullueshme. Është nga anët e tua. Do të martohem. Do të bëj katër fëmijë. Do jenë dy vajza, dy djem… Kur të më rriten çunat, do të ndjekim bashkë finalet e Kampionatit Botëror, kudo që të jenë.

Unë dëgjoja. Sa shumë më gëzonin këto ëndrra që më shpaloste një shkodran që sapo ishte fejuar. Ndihesha i ngazëllyer për atë sinqeritet që nuk e kisha parë askund tjetër dhe mezi prisja kohën që kalonte. Dhe unë dëshmoj: dasma shkodrane në Minnetonka ishte një ndër më të bukurat dhe më madhështoret nga shqiptarët e këtushëm.

E kam përqafuar fort Maltinin kur u bë baba për herë të parë në Minnesota.

“Po krijoj familjen time,” më thoshte dhe fytyra i ndriste nga e qeshura. Iku më pas në San Diego, Kaliforni, ku ndërtoi “perandorinë e tij”. Në nëntor të vitit 2024 erdhi në Minneapolis dhe qëndruam bashkë. Ai më fliste, më rrëfente se si kishte krijuar familjen e madhe, ashtu siç kishte premtuar: dy vajza, dy djem. Lori, bashkëshortja, ishte bërë juriste. Më tregonte pa pushim për “kështjellën” ku jetonte: një bahçe e madhe, në një kodër të bukur nga ku shihje Paqësorin.

“Kam mbjellë me duart e mia 130 drurë frutorë nga e gjithë bota, edhe nga Shqipëria,” më thoshte. Më tregonte në celular pamjen nga sateliti, duke më mahnitur me histori interesante për fqinjët amerikanë.

“Ejani të na vizitoni. Ejani…” – përsëriste herë pas here.