Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni do të marrë pjesë në ceremoninë e betimit të Donald Trump si president i SHBA-së në Uashington më 20 janar, tha sot zyra e saj.
Meloni e ka pozicionuar veten si liderja më e afërt evropiane me Trump dhe besohet se është e vetmja që do të marrë pjesë në ceremoninë e betimit.
Prezenca e kryeministres u konfirmua në axhendën javore të publikuar nga zyra e saj.
Udhëheqësit e huaj sipas traditës nuk marrin pjesë në ceremonitë e betimit të SHBA-së, por Meloni tha në fillim të këtij muaji se ishte e ftuar – një gjest i parë si një shenjë e “respektit të madh” që Trump ka për të dhe Italinë.
Meloni dhe Trump nuk e njohin mirë njëri-tjetrin, por ndajnë vlerat e së djathtës dhe janë takuar dy herë që nga rizgjedhja e Trump në nëntor.
Ajo vizitoi rezidencën e tij në Mar-a-Lago në Florida, ku ai e vlerësoi si një “grua fantastike”.
Partia e saj post-fashiste “Fratelli d’Italia” ka pasur prej kohësh lidhje me Steve Bannon, një nga organizatorët pas zgjedhjes fillestare të Trump në 2016 si president.
Meloni ka një miqësi me miliarderin e teknologjisë, Elon Musk, i cili është një aleat i ngushtë i Trump.
Trump ka ftuar disa politikanë evropianë të ekstremit të djathtë në ceremoni, duke përfshirë Eric Zemmour të Francës dhe dy figura të larta nga partia gjermane AfD.
Politikani britanik i ekstremit të djathtë, Nigel Farage do të marrë pjesë gjithashtu, por kryeministri nacionalist i Hungarisë, Viktor Orban, i cili ishte gjithashtu i ftuar, ka thënë se nuk do të jetë atje.