Qytetarët janë mbledhur për të 20-tën ditë radhazi në protestë kundër qeverisë. Ata janë mbledhur fillimisht në sheshin ‘Skënderbej’ ndërsa kanë vijuar me marshimin drejt kryeministrisë.
Në orën 19:00, sheshi “Skënderbej” u shndërrua në pikën e parë të grumbullimit, ndërsa më pas valët e njerëzve u drejtuan në një marshim drejt godinës së qeverisë, ku pritet të mbahen fjalime. Pas kësaj, lëvizja vazhdon nëpër rrugët kryesore të kryeqytetit, duke u zgjatur deri në orët e vona të natës.
Një ditë më parë, itinerari i protestës përfshiu Parlamentin gjatë zhvillimit të rendit të ditës, përpara se turma të zhvendosej sërish drejt Kryeministrisë.
E njëjta frymë është përhapur edhe jashtë Tiranës: në Vlorë, Durrës, Shkodër, Korçë dhe Fier, ku qytetarët kanë dalë në rrugë me kërkesa të njëjta për ndryshim politik dhe dorëheqje të qeverisë.
Lëvizja “Revolucioni Flamingo 🦩” po raportohet gjithashtu edhe nga shqiptarët jashtë vendit, duke ruajtur një mesazh të përbashkët: ndryshim i thellë i klasës politike dhe largim i strukturës aktuale të pushtetit.










