Shqipëria do të vijojë nën ndikimin e masave ajrore me origjinë kontinentale duke sjellë në vendin tonë mot të kthjellët dhe të ftohtë. Më të theksuara kthjellimet do të paraqiten përgjatë vijës bregdetare dhe pjesërisht në zonat e ulëta. Parashikohet që orët e pasdites dhe në vijim të sjellin herë pas here kalime vranësirash të pakta nëpër të gjithë territorin, megjithatë nuk priten reshje.

Temperaturat e ajrit do të mbeten të ulëta në mëngjes, por rriten maksimumet duke luhatur vlerat ditore nga -6°C vlera më e ulët e shënuar në qytetin e Peshkopisë deri në 11°C vlera më e lartë e cila pritet në Vlorë dhe Sarandë. Era do të fryjë mesatarisht me shpejtësi mbi 40 km/h nga drejtimi kryesisht lindor duke krijuar në brigjet detare valëzim të ulët.

Kosova

Republika e Kosovës do të paraqitet me kthjellime dhe vranësira të lehta e kalimtare gjatë orëve të paradites, por pas mesditës dhe në vijim vranësirat do të bëhen më të dukshme në të gjithe territorin e Kosovës, ku më të theksuara do të jenë në zonat veriperëndimore. Parashikohet që orët e vona të mbrëmjes të sjellin përmirësim të kushteve atmosferike në të gjithë Kosovën. Temperaturat e ajrit do të vijojnë konstante në vlerat minimale, por rriten maksimumet duke u luhatur nga -7°C vlera më e ulët në Mitrovicë deri në 4°C vlera më e lartë në Prizren e Gjakovë. Era do të fryjë e lehtë paradite, por deri mesatare gjatë pasdites duke arritur shpejtësinë maksimale 48 km/h nga drejtimi kryesisht Verilindor.

Maqedonia e Veriut

Republika e MV përgjatë gjithë 24 orëshit do të jetë nën ndikimin e motit të kthjellët dhe shumë të ftohtë, por orët e pasdites do të sjellin herë pas here vranësira të shpeshta, por nuk priten reshje. Parashikohet që në mbrëmje dhe gjatë natës, vranësirat të largohen nga i gjithë territori i MV. Temperaturat e ajrit do të rriten lehtë në vlerat minimale, por rriten edhe maksimumet duke u luhatur nga -6°C vlera minimale në qytetin e Ohrit deri në 6°C vlera maksimale e cila do të shënohet sërisht në Shkup. Ndërkohë era do të paraqitet e lehtë deri mesatare duke arritur shpejtësinë maksimale deri në 40 km/h nga drejtimi kryesisht Lindor.

Evropa

Zhvillimi i një qendre të fuqishme ciklonare përkatësisht në veri-verilindje të kontinentit europian me ndikim deri në Lindje do të diktojë kushte të paqëndrueshme atmosferike në Europën Lindore, rajonin e Balltikut dhe Europën Lindore duke sjellë reshje të dendura dëbore. Po ashtu me vranësira, rrebeshe shiu si edhe stuhi të forta ere do të ketë në Britaninë e madhe ndërsa e gjithë pjesa tjetër e kontinentit të Europës do të paraqitet nën ndikimin e masave ajrore me origjinë siberiane duke kushtëzuar mot të kthjellët dhe temperatura shumë të ulëta.