Paraditen e kësaj të Diele moti i keq i shoqëruar me reshje të dendura dëbore ka ” pushtuar” pjesën më të madhe të shtatë bashkive të Qarkut të Elbasanit. Në bashkitë Librazhd, Prrenjas e Gramsh dëbora pas orës 10.00 të kësaj fundjave ka zbardhur jo vetëm zonat rurale por edhe ato urbane.Në qytetet e Librazhdit, Prrenjasit e Gramshit dëbora ka filluar të krijojë shtresën e parë dhe rënia e dendur e saj paralajmëron se trashësia e saj do shkojë disa centimentra rreth mesditës.

Gazetari fatmir Popja raporton për Balkanweb se ndërkohë në të gjitha zonat malore përfshi edhe ato të Elbasanit në disa fshatra malorë trashësia e dëborës gjatë mëngjesit të sotëm ka arritur 20-35 cm. Ndërkohë rënia e reshjeve po shoqërohet edhe me erëra mjaft të forta të cilat kanë dëmtuar një pjesë të rrjetit shpërndarës të energjisë elektrike dhe shtylla elektrike në fshatrat e NJA Steblevë të bashkisë Librazhd, në NJA Rrajcë në bashkinë Prrenjas ku po punohet që nga orët e para të ditës së sotme për riparimin e linjave ekektrike të dëmtuara.

Edhe Dogana e Qafë Thanës ka patur mungesë të furnizimit me energji për shkak të dëmtimit të linjës elektrike nga moti i keq.Aktualisht në të gjithë hapësirën ku shtrihen shtatë bashkitë e Qarkut të Elbasanit rrugët janë të hapura dhe qarkullimi vazhdon të jetë normal.

Policia ka paralajmëruar drejtuesit e automjeteve që qarkullojnë nga Elbasani drejt Librazhdit, Prrenjasit, Pogradecit e Korçës që të marrin masat për të patur një udhëtim sa më të sigurtë sepse në rrugë në këtë aks të rrugës kombëtare bie parreshtur dëborë . Janë marrë të gjitha masat që rruga të jetë e monitoruar dhe mjetet borë pastruese janë në terren dhe në gatishmëri së bashku me punonjësit për të përballuar me sukses çdo lloj situata që mund të krijohet nga moti i keq.