Katër të akuzuarit për vrasjen e Liridona Ademajt: Naim Murseli, Granit Plava, Kushtrim Kokalla dhe Tom Dodaj, përmes deklaratave të dhëna në Polici dhe Prokurori, kanë dhënë versionet e tyre për njohjen me njëri-tjetrin, planin për kryerjen e vrasjes, përfshirjen dhe veprimet e secilit, deri te premtimi për pagesën.

Naim Murseli si dëshmitar tha se u ‘grabitën’ dhe se tani e ndjera mbeti në makinë

Sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi“, Naim Murseli në deklaratën e dhënë në Polici më 29 nëntor 2023 në cilësinë e dëshmitarit, ka dhënë versionin e tij se si ka ndodhur ngjarja. Ka thënë se ishin grabitur dhe se ai me fëmijët kanë arritur të dalin nga vetura, kurse tani e ndjera Liridona kishte mbetur në veturë.

Murseli në cilësinë e të dyshuarit: S’kam dhënë ndonjë ide dhe nuk kam ndërmarrë asnjë veprim për ta realizuar këtë vrasje.

Kurse, në deklaratën e dhënë në cilësinë e të dyshuarit më 1 dhjetor 2023, në prani të mbrojtësit të tij ka theksuar se pas 10 viteve martesë, kishin filluar problemet martesore, duke thënë se Liridona ka qenë xheloze, temperamente dhe kontrolluese, e që ka pasur presion psikik nga ajo, sikurse janë telefonatat e shpeshta e kërkimi i dëshmive me foto se ku gjendet e me kë.

Naimi thuhet se deklaroi që nuk ishte më i lumtur, por që Liridona sipas tij nuk e pranonte ndarjen. Tha se një problem që kishte ndodhur mes tyre në mars 2023, vështirësoi akoma lidhjen e tyre. Pas kësaj tha se iu shtua presioni e që sipas tij ndikoi të mendonte edhe vetëvrasjen.

Sipas tij, në një bisedë me djalin e dajës së tij (Kushtrim Kokallën) ai i ka thënë se ia zgjidh këtë punë, e që fillimisht kishin menduar për inskenimin e një aksidenti, por që shoku i Kushtrimit (Granit Plava) kishte insistuar që veprën ta kryente me armë sipas mënyrës së tij.

“…unë nuk kam dhënë ndonjë ide dhe nuk kam ndërmarrë asnjë veprim për ta realizuar këtë vrasje”, citohet të ketë deklaruar i akuzuari Murseli.

Në ditën kritike, thotë se ishte takuar me Granitin në Gjakovë, rrugës iu ishte dëmtuar goma, e kur ishin ndaluar për ta rregulluar, personi që iu ndihmoi në gomë e ka pyetur Plavën se a është i interesuar për të blerë armë, e për të cilën ia kishte dhënë Naimi paratë prej 250 euro Granitit për ta blerë atë. Më pas, tha se ishte nisur në drejtim të Prishtinës bashkë me Granitin, e pasi i kishte thënë ta dërgonte në Kralan, kishin vazhduar rrugën ndaras për Prishtinë, ku sipas tij Plava e kishte ndjekur prapa me veturë tjetër deri afër shtëpisë e më pas i kishte thënë “unë tash e di çka bëj”.

Më pas, Naimi ka deklaruar se kishin vazhduar në darkë me Liridonën dhe dy fëmijët, thotë se nuk e ka vërejtur se Plava kishte qenë në atë restorant, por që ai i kishte shkruar dhe dërguar një foto. Graniti kishte thënë se doli nga lokali, e kur përfunduan darkën Naimi thotë se vazhduan për në shtëpi, e në afërsi të shtëpisë Graniti u doli me armë e i maskuar.