Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Anastas Janullatos, i cili ringriti nga gërmadhat Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë u nda nga jeta në moshën 95-vjeçare. Prej 3 janarit, Kryepeshkopi Janullatos ishte i shtruar në spitalin ‘Ungjillëzimi’ në Athinë, ndërsa Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë në një postim në Facebook lajmëron se Janullatos ndërroi jetë rreth orës 07:30 të 25 janarit 2025.

“Fjeti më Zotin Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe Gjithë Shqipërisë, ANASTASI. Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, me dhimbje të thellë, njofton fjetjen më Zotin të Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë, Fortlumturisë së Tij, Anastasit. Kryepiskopi ndërroi jetë sot, 25 Janar 2025, në orën 08:30 të mëngjesit, në moshën 95-vjeçare, në Spitalin “Evangelismos” të Athinës, si pasojë e funksionimit të pamjaftueshëm të shumë organeve. Më parë, ishte kuruar për disa ditë në Spitalin “Hygeia” të Tiranës.

Ftojmë besimtarët orthodhoksë të Kishës së Shqipërisë të luten për prehjen e shpirtit të Kryebariut të ndjerë. Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi Anastas, ishte rindërtuesi dhe rigjallëruesi i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, të cilën e ngriti tërësisht nga rrënojat pas rënies së regjimit ateist. Me vizionin hyjnor dhe punën e tij të palodhur, ai rindërtoi nga themelet jetën kishtare, ndërtoi qindra kisha, krijoi institucione arsimore dhe bamirëse, si dhe formoi një brez të ri klerikësh, duke ofruar një shërbesë të pandërprerë e sakrifikuese për më shumë se 33 vjet. I përjetshëm qoftë Kujtimi i tij”, shkruan Kisha Orthodhokse Autoqefale.

Janullatos u shtrua në spital në Tiranë më 31 dhjetor dhe më pas u dërgua në Athinë, për shkak të një gjakderdhjeje në sistemin e aparatit tretës.

Kryepeshkopi Janullatos ishte një ndër hierarkët e rëndësishëm të Kishës Orthodhokse dhe kishte miq nga e gjithë bota. Ai lindi në Pire të Greqisë më 4 nëntor të vitit 1929, ndërsa ishte Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse të Shqipërisë që prej vitit 1992. Ndërkohë, në 2017 kishte marrë shtetësinë shqiptare.

Në 1991 Anastas u caktua nga Patriarku Ekumenik Eksark, Patriarkal në Shqipëri. Vizitën e parë në Shqipëri e bëri më 16 korrik 1991, Anastas Janullatos. Për ta pritur në aeroportin e “Rinasit” dolën një grup besimtarësh orthodhoksë, por edhe dashamirës e klerikë të besimeve të tjera, por asnjë përfaqësues i qeverisë shqiptare.

U fronëzua në krye të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare më 2 gusht 1992, plot 33 vite më parë në moshën 63 vjeçare duke i rezistuar referendumit të vitit 1994 ku qeveria e atëhershme futi në projektligj një nen që i ndalonte udhëheqësit fetarë me nënshtetësi të huaj të ushtronin detyra fetare. Me 6 nëntor Referendumi u rrëzua me votë popullore. Për Shkëlqesinë e tij ardhja në Shqipëri ishte pjesa e tretë e tri periudhave të jetës.

Përmes vështirësive të shumta, ringriti nga gërmadhat Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë: u riorganizuan më tepër se 400 famulli; u themelua Akademia Theologjikë “Ngjallja e Krishtit” në Durrës dy Lice kishtarë; shkolloi dhe dorëzoi 159 klerikë. Ai themeloi 50 qendra rinore në qytete të ndryshme. U kujdes për përkthimin dhe botimin e librave liturgjikë dhe të librave të tjerë fetarë. U ndërtuan 155 kisha të reja, u restauruan 63 të tjera dhe u riparuan më tepër se 160 kisha ekzistuese, si dhe 75 qendra kishtare Vepra totale ndërtuese arrin në afro 500 ndërtesa

Katedralja Ngjallja e Krishtit, e vendosur në qendër të Tiranës e cila është kisha e tretë më e madhe ortodokse në Evropë është një ndër dhuratat e Hirësisë së tij për popullin shqiptar. Ajo u hap zyrtarisht në 24 qershor 2012, për të festuar 20 vjetorin e ringjalljes së Kishës Ortodokse Shqiptare dhe zgjedhjen e Kryepeshkopit Anastas Janullatos.

Hirësia e tij e lidhi Kishën e Shqipërisë me organizata ndërkombëtare kishtare dhe ishte anëtar themelues i Shoqërisë Biblike Ndërkonfesionale të Shqipërisë dhe të Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë.

Gjatë tensioneve politike midis Greqisë dhe Shqipërisë, kontribuoi në zbutjen e tyre dhe në afrimin e dy vendeve. Nëpërmjet iniciativave dhe veprës së tij u është ofruar punë mijëra vetëve; u krijuan vepra serioze të strukturës sociale dhe Kisha Orthodhokse e Shqipërisë është bërë një faktor multidinamik shpirtëror dhe faktor progresi.

Kryepiskopi Anastas ishte njohës i thellë në fushën e Historisë së Feve dhe të dialogut ndërfetar. Kontributi i tij i rëndësishëm në Hierapostullimin e Krishterë, në Teologji dhe në bashkëjetesën paqësore të popujve dhe të komuniteteve fetare është i njohur botërisht.

Në vitin 2000, pas propozimit të Akademisë Athinës dhe shumë personalitete të Shqipërisë, ishte kandidat për Çmimin Nobel të Paqes. Ndërsa i janë akorduar shumë dekorata dhe çmime nga vende të ndryshme.