Nga Herion Gjiko

Udhëheqësit e partive të reja në hapësirën shqiptare, jetojnë në një kohë avantazhesh të mëdha. Avantazhe që pjesa dërrmuese e paraardhësve të tyre, nuk i kanë pasur. Avantazhet e epokës së Mediave Sociale.
Hapësirë të tillë për të shpalosur atë që je dhe për të përcjellë idetë, nuk e ka patur as Sali Berisha në 1991-shin, me vetëm një televizion.
Nuk e ka patur as Fatos Nano, i cili pavarësisht kësaj, arrinte që të njëqindfishonte tirazhet e gazetave, çdo herë që lëshonte një prej atyre ideve të tij, edhe nga burgu i Bënçës. Fjala vjen, për nga viraliteti, letra e tij e famshme e “mjaltit dhe guralecëve” do ta bënte të turpërohej Instagramin dhe TikTokun e kohëve moderne.

Nuk e ka patur në fillimet e tij në politikë, as Edi Rama, i cili pavarësisht kësaj, bëri emër sidomos me artikujt brilantë në gazetat e kohës, si “Koha Jonë”, dhe më vonë me aktet e përzierë me show-n politik, që nga mitingjet ku bërtiste “Doktoooor”, e deri tek çorapet e kuqe, apo goditjet e sëpatës mbi shtyllën e drunjtë të KESH-it të kohës.
Por pavarësisht kësaj, këta dhe shumë politikanë të tjerë, ia kanë dalë që të bëjnë për vete një pjesë domethënëse të shqiptarëve, dhe pikërisht prej kësaj, janë votuar, kanë marrë pushtetin, kanë dorëzuar pushtetin, duke jetuar në plotësinë e vet jetën politike që duhet të bëjë një politikan dhe marrëdhënien e tij me votuesit.

Por pavarësisht kësaj, këta dhe shumë politikanë të tjerë, ia kanë dalë që të bëjnë për vete një pjesë domethënëse të shqiptarëve, dhe pikërisht prej kësaj, janë votuar, kanë marrë pushtetin, kanë dorëzuar pushtetin, duke jetuar në plotësinë e vet jetën politike që duhet të bëjë një politikan dhe marrëdhënien e tij me votuesit.
Sigurisht, kanë qenë edhe vizitorë të shpeshtë të studios së Fevziut, por kjo në një kohë kur as Mark Zuckerbergu, e as Elon Musku apo pronarët kinezë, nuk e kishin ëndërruar fuqinë dhe pavarësinë që mediat sociale do i jepnin në të ardhmen çdo njeriu.
Këto të fundit janë magjike kur flitet për komunikimin publik, por kanë një kusht që është thelbësor: Duhet të jesh bindës, të kesh thelb, të kesh mesazh, dhe mbi të gjitha të jesh i besueshëm dhe ORIGJINAL.
Eshtë kjo e sintetizuar, formula e suksesit për në mediat sociale. Në kohët e sotme janë përcjellëset më të mira të mesazhit, janë dallueset më të mira të thelbit, dhe mbi të gjitha, janë matëset më të sakta të besueshmërisë dhe origjinalitetit.
Ashtu si të gjithë të tjerët, edhe udhëheqësit e partive të reja i kanë në dispozicionin e tyre këto mjete. Prej shumë vitesh.

Janë përpjekur të ndërtojnë podcast-e, të përdorin Facebook apo YouTube, Instagram apo TikTok. Kanë gjithësecili një numër të caktuar ndjekësish, që mund të jetë inkurajues për një personazh që para ekranit dëshiron të përmbysë gjithçka që vjen para tij, dhe që premton se do të sjellë parajsën. Por kur i vendos në kandarin e personazheve të tjerë, si fjala vjen rubrika e Qytetarit Digjital të Berishës, apo impakti që kanë postimet e Edi Ramës, njeriu që duan të zbresin “nga froni”, janë shumë pak. Dhe kjo më pas, bëhet burim nervozizmi.
Një nga fenomenet për të cilat është folur më shumë dhe për të cilin ekzaktësisht mediat sociale shihen si burim kryesor, është ai i trishtimit deri në depresion, që buron nga mungesa e “like”-ve apo mbështetjes në mediat sociale. Sipas ekspertëve, sepse ndikojnë fort në vetëvlerësim, shkaktojnë një mjedis krahasimi social (pra ku ti krahasohesh, fjala vjen, me partitë e mëdha dhe kjo të trishton), ti krijon një varësi të fortë nga pëlqimi i të tjerëve, i cili kur mungon, krijon zbrazëti. Dhe një tjetër efekt po kaq i fortë, është frika nga refuzimi.

Nëse do i referohemi ekspertëve, ata kanë nga një këshillë për secilën prej simptomave. Për mungesën e like-ve – pra të mbështetjes – ata sugjerojnë që gjithësecili të rishikojë pritshmëritë që ka nga vetja. Për pjesën e vetëvlerësimit, ata sugjerojnë që të fokusohesh tek përmbajtja, tek thelbi, tek mesazhi që ke, dhe jo tek reagimet. Për të tjerat, rekomandojnë me forcë që ta ndërtosh vetëbesimin jashtë rrjeteve sociale.
Janë të gjitha këshilla të vlefshme, që me siguri do t’i ndihmonin shumë dhe do të shërbenin si një pasqyrë për të bërë një vlerësim sa më realist të forcës që ke, të mesazhit që do të japësh. Mbi të gjitha, të krijimit të një lidhjeje të fortë me qytetarët.
Dhe kjo nuk bëhet tek studio e Fevziut. Nuk është bërë asnjëherë.