Kuvendi i Shqipërisë iu ka mbajtur një pjesë të pagës së tyre deputetëve të Partisë Demokratike Gazment Bardhi, Flamur Noka, Bledjon Nallbati dhe Elda Hoti.

Këta deputetë më datë 30 shtator 2024 shkaktuan akte dhune në parlament, duke dëmtuar karrige, pajisje dhe sisteme të ndryshme elektronike.

Katër deputetët kanë refuzuar që të paguajnë vullnetarisht dëmin e shkaktuar. Duke qenë se ata vetë kanë refuzuar të kryejnë pagesë, shuma iu është mbajtur nga paga e muajve nëntor e dhjetor 2024. Sipas faturës, dëmi i shkaktuar shkon në shumën 764 mijë lekë të reja.

Kështu, respektivisht Bardhit i janë mbajtur 209 mijë lekë, Flamur Nokës e Nallbatit 187 mijë lekë dhe Elda Hotit 180 mijë. Në dokument madje thuhet se Bardhi ka dëmtuar stemën e parlamentit, karriget e ka djegur tapetin, ndërsa të tjerët kanë djegur karriget dhe tapetin. Dokumenti u firmos nga Sekretari i parlamentit, Genci Gjonçaj.

Kujtojmë se deputetët e PD-së dogjën karriget e parlamentit më datë 30 shtator të vitit të kaluar, në shenjë proteste pasi Gjykata e Apelit dënoi kolegun e tyre Ervin Salianjin me një vit heqje lirie.

Pas këtij veprimi, më datë 1 tetor 2024, Kuvendi me anë të një njoftimi tha se ka ngritur një grup pune për të bërë vlerësimin e dëmeve të shkaktuara dhe në përfundim të vlerësimit, deputetët e përfshirë në akte dhune do të ngarkohen me përgjegjësinë e dëmshpërblimit financiar.

“Zëvendësimi i plotë i tyre dhe i çdo pajisjeje tjetër të dëmtuar do të bëhet ekskluzivisht me të ardhurat që do t’u mbahen nga paga deputetëve të përfshirë”, thuhej në njoftimin e parlamentit më datë 1 tetor të vitit të shkuar.

(Balkanweb)