Papa Françesku ka pritur në selinë e shenjtë në Vatikan Kryegjyshin Botëror të Bektashinjve, Baba Edmond Brahimaj. Gazetari Ferdinand Samarxhi, i cili ka qenë pjesë e takimit informoi se Papa Françesku uroi dhe bekoi krijimin e shtetit sovran Bektashi. Gjatë takimit Baba Mondi dhe Papa Françesku firmosën bashkarisht dokumentin mbi vëllazërinë njerëzore të Abu Dhabit.
“Nismë e bukur të cilën e bekoj”, mësohet të ketë thënë Papa gjatë takimit.
Qeveria shqiptare planifikon të ndërtojë në sipërfaqen prej 27 hektarësh, mikro-shtetin e quajtur “Shteti Sovran i Urdhrit Bektashi”, i cili do të ketë kufijtë, administratën dhe pasaportat e tij. Kryeministri Edi Rama në një intervistë për ‘The New York Times’ më shtator të 2024, zbuloi planin se do t’u japë anëtarëve të Bektashinjve, enklavën e tyre të stilit të Vatikanit si një mënyrë për të promovuar tolerancën fetare. Rama tha se qëllimi i shtetit të ri ishte të promovonte një version tolerant të Islamit me të cilin krenohet Shqipëria.