Gjykata e Posaçme vijon sot shqyrtimin paraprak të dosjes “Partizani”, me të pandehur ish-kryeministrin Sali Berisha, dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi dhe 3 të pandehurve të tjerë. Vetë kreu i PD dhe dhëndri i tij nuk janë të pranishë, ndërsa në seancën e sotme do të vijojnë sërish të paraqesin kundërshtimet e tyre avokatët e Jamambër Malltezit.

Më herët, gjykata është njohur me pretendimet e avokatëve të Berishës, ndërsa në përfundim të fjalës së avokatëve të Malltezit do të dëgjohen avokatët e të pandehurve të tjerë. Më pas, do të vijohet me mbrojtjen e Fatmir Bektashit, Xhimi Begesë dhe Andia Pustinës. Seanca pritet të zgjasë deri në orën 16:00 kur të përfundojë orari zyrtar.

Hetimet për dosjen Partizani kanë nisur në vitin 2020, dhe në aktakuzën e SPAK, dy prokurorët Arben Kraja dhe Enkelejda Millonai e akuzojnë ish-kryeministrin Berisha për veprën penale të “korrupsionit pasiv” të funksionarëve të lartë të kryer në bashkëpunim. Sipas SPAK, Berisha ka ndryshuar ligje, dhe ka ushtruar presion mbi vartësit e tij, në mënyrë që ish-kompleksi Partizani t’iu kthehej pronarëve, në mesin e të cilëve do të përfitonte dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi.

Aktualisht Berisha është në liri, por me masën “detyrim paraqitje”, 2 herë në javë. Por SPAK ka kërkuar që kryedemokrati të kthehet në arrest shtëpie duke ankimuar vendimin e GJKKO-së. Ndërkohë SPAK ka përfunduar hetimet dhe ka ngritur akuzë zyrtare për Berishën, atë të korrupsionit pasiv.

Ndryshe nga Sali Berisha, dhëndri i tij ndodhet nën masën e sigurisë ‘arrest shtëpie’.Ndaj Jamarbër Malltezit, rëndojnë akuzat e “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë ose të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale” që lidhen me privatizimin e ish-klubit Sportiv Parizani. Përveç dyshes Berisha-Malltezi, nën akuzë janë edhe Fatmir Bektashi, Andja Pustina dhe Xhimi Begeja.