Kryeministri Edi Rama solli në vëmendje gjatë fjalës së tij në ceremonisë së homazheve në nder të Kryepeshkopit Anastas deklaratën e tij për mediat greke kur tha se pasuesi në krye të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë do të jetë një shqiptar.
Rama tha se Anastasi u paragjykua vetëm se ishte grek, ndërsa vlerësoi se në 33 vitet e drejtimit të Kishës Ortodokse prej tij e ktheu atë në një Kishë të lirë dhe në fuksion të pajtimit e paqes.
Edi Rama: Ekzistenca e kësaj Kishe me frymën që për 33 vite i dha bariu i saj Anastasi i Shqipërisë edhe mirëfilli sot një një aset konstitutiv i vetë pavarësisë, integriteti dhe sovranitetit të Shqipërisë, një Kishë e lirë, në një shtet të lirë. Sa prekëse është në koherencën stoike të jetës së tij baritore dhe gjithëaq shpartalluese për të gjithë paragjykuesit dhe dyshuesit e tij prania e këtij trupi pajetë të rilindësit të Kishës Autoqefale të Shqipërisë, pohimi i tij botërisht pak kohë më parë në një intervistë të dhënë për shtypin grek e cila tingëllon më shqip se shqipja e kujtdo që e ka paragjykuar vetëm e vetëm se ishte grek Kryepeshkopin shqiptar i cili tha se “pasuesi im do të jetë shqiptar”.
“Unë kam që në vitin 1963 që udhëtoj nëpër botë. Kam repsektuar ta mësoj tjetrin siç është, të mendoj për të drejtat e tij. Imagjinoni të kishim në Greqi një situatë të ngjashme, a do ta pranonim të drejtonte Kishën e Greqisë një bullgar apo serb, sigurisht që jo. E konsideroj të mirëqenë që pasuesi im të jetë shqiptar. Ne nuk shkuam në Shqipëri për të bërë një koloni, por për të bërë një Kishë Autoqefale të Shqipërisë. Ajo nuk është pjesë e Kishës së Greqisë, por një nga 14 kishat ortodokse autoqefale të botës”. E mbyll shprehjen e tij lapidare Kryepeshkopi ynë. Çfarë njeriu, çfarë bariu, çfarë pajtuesi dhe paqebërësi, çfarë greku në kombësi dhe çfarë shqiptari në shtetësi…