Prokuroria e Posaçme (SPAK) vazhdon hetimet për vrasjen e 4 protestuesve me 21 janar të vitit 2011. Familjarët e Aleks Nikës i vrarë në protestë, vrasje për të cilën ende nuk ka autor, po kërkojnë drejtësi. Lidhur me këtë ngjarje deputeti i Partisë Socialiste, Petro Koçi, zbuloi në një intervistë për gazetën ”SOT” se ka qenë përballë kryeministrisë se privatizuar kur u dëgjuan krismat e krimit shtetëror.

Më tej deputeti socialist shprehet se ka fakte të qarta si drita e diellit se hetimet nuk trokitën kurrë te kreu i qeverisë së asaj kohe, Sali Berisha.

Sipas tij, Berisha ka deklaruar me zë dhe figurë se nëse do të kishte snajper do të qëllonte dhe Edi Ramën. Po ashtu, ai komentoi edhe deklaratën e fundit të Berishës, ku tha se sot do të vepronte njësoj sikurse më 21 janar 2011, duke treguar mungesë pendese për katër viktimat. I pyetur se si e komenton këtë qëndrim të kreut të PD, Petro Koçi theksoi se Berisha të vret.

-Z. Koçi, si e kujtoni ju protestën e 21 janarit? Çfarë domethënie kishte ajo për atë periudhë politike dhe për qytetarët shqiptarë?

Ishte protesta më kuptimplotë sa i përket reagimit popullor kundër korrupsionit të kapur në flagrancë me zë edhe figurë. Pavarësisht se atë demonstrim masiv e inicioi PS në fakt ndezjen e zemërimit popullor e kish shkrepur qeveria Berisha me duart e veta. Pra masiviteti i pakrahasueshëm i asaj proteste historike nuk është vetëm merite e padiskutueshme e PS por edhe e qeverise se korruptuar PD LSI. Hajduti të vret, thotë populli. Dhe ashtu ndodhi. Hajduti na vrau. Kam qenë aty përballë kryeministrisë së privatizuar kur u dëgjuan krismat e krimit shtetëror. Secili prej 4 dëshmorëve u vra përtej perimetrit te oborrit të kryeministrisë. Bile kontakti me i afërt fizik i protestuesve me këtë perimetër ndodhi me pare goditjes me armë mbi qytetarët kur disa prej këtyre të fundit hipën te kangjellat me prapanicat nga godina e kryeministrisë dhe brohorisnin. Jam krenar që iniciova ndryshimin e ligjit për statusin e dëshmorit te atdheut, ndryshim që çoi në dhënien e titullit të larte te 4 protestuesve te pushkatuar nga shteti i komunistit Sali Berisha.

-A mendoni se Sali Berisha mban përgjegjësi për katër viktimat e asaj dite tragjike? Dhe a keni besim se zbardhja e plotë e kësaj ngjarjeje do të ndodhë ndonjëherë?

Unë nuk jam as gjykatës as prokuror, por është e qartë si drita e diellit se hetimet nuk trokitën kurrë te kreu i qeverisë, te ai që bllokoi hetimet e prokurorisë, te ai qe sundonte një godine të cilës ja fshinë memorien e kamerave regjistruese, te ai që deklaroi se po të kishte snajper do ta qëllonte vetë Edi Ramën. Sali Berisha edhe sot qëllon në plumba politike mbi SPAK, mbi drejtësinë e re, të cilën është angazhuar ta pushkatojë me Ilir Metën nëse do vinte në pushtet.

-Deklarata e fundit e z. Berisha, ku tha se sot do të vepronte njësoj sikurse më 21 janar 2011, tregon mungesë pendese për katër viktimat. Si e shihni ju këtë qëndrim të tij? Çfarë mesazhi përcjell kjo për shoqërinë shqiptare?

Sali Berisha vret. Bile shumë njerëz këtë fakt e marrin si te mirëqenë kur thonë pse i çoi Edi Rama protestuesit përballë Saliut. Regjimi diktatorial ra ne 97-ën. 21 Janari 2011 është krimi i fundit i mbeturinave të diktaturës. Berisha është prapakthimi i jetës, i demokracisë dhe i shtetit. Premtimet e tij janë njëkohësisht kthim te firmat piramidale. Ai simbolizon firmën piramidale të premtimeve të florinjta. Është gjoba më e rëndë që vazhdojnë të paguajnë shqiptaret. PS e dalë nga mitra e lodhur e Shqipërisë nuk është e ëngjëllt, por PD është djalli. Doli nga shishja e monizmit kur dikush e hapi për fatin e keq të tranzicionit shqiptar.