Kryeministri britanik Keir Starmer ka denoncuar atë që e ka quajtur “përhapje e gënjeshtrave dhe keqinformimit”, pasi u kritikua ashpër nga miliarderi i kompanisë Tesla, Elon Musk.
Aleati i Presidentit të zgjedhur Donald Trump e akuzoi zotin Starmer se nuk ka hetuar rastet e shfrytëzimit seksual të fëmijëve. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Henry Ridgwell, kjo konsiderohet ndërhyrja më e fundit e zotit Musk në politikën evropiane.
Në ditët e fundit, drejtuesi miliarder i Teslas, Elon Musk, ka vendosur në epiqendër të disa mesazheve të tij në rrjetin social X qeverinë britanike. Pa ofruar evidencë, zoti Musk akuzoi qeverinë britanike për bashkëfajësi në mos-hetimin e grupeve kriminale që shfrytëzojnë të miturit.
Çështjet janë të një periudhe kohore 20-vjeçare dhe kanë të bëjnë me shfrytëzimin seksual të fëmijëve nga grupe kriminale.
“Pati një ndjesi se këto banda, në veçanti ato të meshkujve me prejardhje pakistaneze, nuk po hetoheshin dhe nuk po hetoheshin me forcën e duhur nga policia. Pjesërisht mendoj për shkak të përqasjes së policisë ndaj paditësve – përgjithësisht vajza të klasës punëtore që nuk merreshin shumë seriozisht nga policia. Dhe ndoshta për shkak të ndjeshmërisë për marrëdhëniet në komunitet – pra me fjalë të tjera, policia dhe autoritetet nuk donin të quheshin raciste”, thotë Tim Bale, profesor i shkencave politike, në Universitetin “Mbretëresha Mary” të Londrës.
Ndër personat që pretenduan se pati një fshehje të aktivitetit të paligjshëm ishte edhe aktivisti i së djathtës ekstreme Tommy Robinson, i cili është tashmë në burg për akuza të lidhura me këtë. Zoti Musk shkruajti në rrjetin X se zoti Robinson duhet të lirohet dhe se “ata që e fshehën këtë parodi duhet të jenë në vend të tij në qeli”.
Zoti Musk e akuzoi Kryeministrin britanik Keir Starmer se nuk hetoi bandat që shfrytëzojnë fëmijët gjatë periudhës kur ishte kryeprokuror i Britanisë. Duke folur të hënën, zoti Starmer dha këtë përgjigje:
“Ata që përhapin gënjeshtra dhe keqinformim sa më shumë të munden, ata nuk janë të interesuar për viktimat, por për veten e tyre. Ata që mbështesin Tommy Robinsonin nuk u intereson drejtësia. Ata po mbështesin një person që u fut në burg për shkak se për pak prishi një çështje hetimore ndaj një bande të tillë”, tha kryeministri britanik.
Kryeministri Starmer shtoi se si kryeprokuror, ai pati hapur çështje të shumta hetimore për abuzimin me fëmijët dhe se ngriti padinë e parë ndaj një bande aziatike që shfrytëzonte fëmijët. Por, zoti Musk i përsëriti më vonë kritikat e tij, duke e quajtur kryeministrin britanik “krejtësisht të neveritshëm”.
Kryeministri Starmer nuk përmendi me emër zotin Musk, vë në dukje profesori Bale.
“Për shkak të afërsisë, për momentin me Donald Trump-in, mendoj se Kryeministri Starmer duhet të jetë i kujdesshëm, duhet t’i zgjedhë fjalët me kujdes dhe prandaj nuk mund të dalë kundër zotit Musk me emër”, thotë profesori Bale.
Zoti Musk ka kritikuar edhe Kancelarin gjerman Olaf Scholz dhe mbështet haptazi partinë e së djathtës së skajshme “Alternativa për Gjermaninë”.
Disa ligjvënës kanë bërë thirrje që agjencitë rregullatore evropiane të marrin masa ndaj rrjetit X për përhapje të keqinformimit, siç thonë ata.
“Dyshoj që do të ndodhë diçka e tillë. Thjesht pasi Elon Musk-ut i pëlqen ta shohë veten si një lloj mbrojtësi absolut të së drejtës së shprehjes. Shumica e politikanëve në pjesën më të madhe të vendeve, në shumicën e partive, janë vetë në favor të fjalës së lirë”, thotë profesori Bale.
Në një zhvillim të mëtejshëm, zoti Musk u duk të hënën se iu kundërvu edhe Nigel Farage-it, një aleat i hershëm i Presidentit të zgjedhur Donald Trump.
Zoti Musk shkruajti në rrjetin X se zoti Farage “nuk ka aftësitë e duhura” për të udhëhequr Partinë e Reformës së Britanisë – pasi zoti Farage refuzoi ta mbështesë aktivistin e burgosur Tommy Robinson.
Zoti Farage u kundërpërgjigj se i qëndron pozicionit të tij. /VOA