Forcat Ajrore të Ukrainës pritet të marrin së shpejti avionët luftarakë francezë Dassault Rafale, në një tjetër hap drejt modernizimit të flotës së tyre ushtarake dhe largimit gradual nga avionët e epokës sovjetike.
Franca njoftoi më 14 korrik se katër nga 16 avionët Rafale të premtuar do t’i dorëzohen Ukrainës sapo pilotët dhe ekipet teknike ukrainase të përfundojnë trajnimet, të cilat pritet të nisin gjatë vitit 2026.
Me ardhjen e Rafale, Forcat Ajrore të Ukrainës do të operojnë me tetë modele të ndryshme avionësh luftarakë të prodhuar në katër vende të ndryshme. Përveç avionëve sovjetikë që vazhdojnë të jenë baza e flotës, Ukraina tashmë ka marrë avionë amerikanë F-16 dhe francezë Mirage 2000, ndërsa avionët suedezë Gripen pritet të hyjnë në shërbim në fillim të vitit të ardhshëm.
Ekspertët vlerësojnë se operimi i një flote kaq të larmishme sjell sfida të mëdha për sa i përket trajnimit, mirëmbajtjes dhe logjistikës. Sipas analistit të Institutit Mbretëror të Shërbimeve të Bashkuara (RUSI), Christoph Bergs, kjo është një fazë kalimtare drejt synimit afatgjatë të Kievit për të zëvendësuar plotësisht avionët sovjetikë me teknologji perëndimore.
Rafale hyri në shërbim në Forcat e Armatosura Franceze në vitin 2001 dhe është një avion shumëfunksional i aftë të kryejë misione ajër-ajër dhe ajër-tokë, ditën dhe natën. Ai ka marrë pjesë në disa operacione ushtarake ndërkombëtare dhe konsiderohet një nga avionët luftarakë më të avancuar në botë.
Megjithatë, Rafale është gjithashtu një nga avionët më të kushtueshëm. Në varësi të konfigurimit dhe paketës së mbështetjes, çmimi i një avioni mund të arrijë deri në 250 milionë dollarë, ndërsa kostoja e një ore fluturimi llogaritet nga 16.000 deri në 31.000 dollarë.
Në planin afatgjatë, Ukraina synon të blejë 100 avionë Rafale, me financimin që parashikohet të vijë përmes një kredie të Bashkimit Evropian prej 90 miliardë eurosh, si dhe nga burime të tjera financimi të dakordësuara mes Kievit dhe Parisit.










