Pogradeci, i cilësuar si një atraksion i përhershëm turistik, me hijeshinë e liqenit, natyrën, kulturën, historinë, kulinarinë, tërheq turistë të shumtë vendas e të huaj në çdo stinë të vitit.

Kryetari i bashkisë së Pogradecit, Ilir Xhakolli tha për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se çdo vit Pogradeci ka njohur rritje të numrit të vizitorëve, duke u kthyer në një ndër qytetet më të preferuara për t’u vizituar në 12 muajt e vitit.

Ai informoi se bazuar në statistikat e referuara nga strukturat akomoduese gjatë vitit 2024 numri i turistëve të cilët vizituan Pogradecin dhe zonat përreth është 135 904, nga të cilët 24 736 janë turistë të huaj dhe 111 168 turistë vendas.

“Nëse krahasojmë totalin me vitin 2023, ku Pogradeci u vizitua nga 124 502 turistë, cilësojmë faktin se ka një rritje rreth 10% të numrit të turistëve në vitin 2024”, tha Xhakolli.

Xhakolli u shpreh se sezoni turistik në qytetin e Pogradecit për vitin 2024 ka qenë tepër produktiv.

“Bashkia e Pogradecit, duke iu referuar edhe Strategjisë Kombëtare të Turizmit 2024-2030, e ka orientuar fokusin në zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit katërstinor. Gjatë vitit 2024 janë organizuar shumë evente dhe aktivitete të cilat lidhen me turizmin kulturor dhe artistik, ku turistët vendas dhe të huaj kanë treguar interesit të lartë”, vuri në dukje ai.

Nga ana tjetër, theksoi Xhakolli, bashkëpunimi me tur-operatorët ka evidentuar një eksperiencë pozitive në lidhje me turizmin malor, kryesisht turistët e huaj kanë preferuar guidat malore, në të cilën bëjnë pjesë atraksionet turistike si Guri i Kamjes, Varret Monumentale të Selcës, Bazilika Paleokristiane dhe Mozaikët në Lin, liqenet e Lukovës etj.

Kryebashkiaku Xhakolli thekson se “një nga indikatorët kryesorë që ka ndikuar në zgjedhjen e Pogradecit si destinacion turistik veçanërisht nga turistët e huaj është dhe zbulimi i palafiteve 7600-vjeçare në Lin, të cilat janë një vlerë e shtuar për paketën promocionale që ofron bashkia Pogradec”.

Sa i përket strukturave akomoduese, hoteleve apo bujtinave, Xhakolli tha se “industria e turizmit është një nga shtyllat kryesore për zhvillimin ekonomik në qytetin e Pogradecit”.

“Nisur nga fakti se statistikat e turistëve janë në rritje është vënë re dhe investimin në ndërtimin e strukturave të reja akomoduese. Gjatë vitit 2023 në bashkinë Pogradec kanë qenë 37 struktura akomoduese dhe aktualisht janë 40 struktura të regjistruara dhe funksionale. Gjithashtu në zonat përreth Pogradecit numri i bujtinave është në rritje”, tha Xhakolli.

Sa i përket synimeve për vitin 2025 lidhur me turizmin, Xhakolli tha se “këtë vit kemi si qëllim rritjen e mëtejshme të numrit të turistëve dhe netqëndrimeve si dhe diversifikimin e ofertës turistike. Një tjetër prioritet është zhvillimi i turizmit malor dhe agroturizmit, me rritjen e bujtinave dhe njësive akomoduese në zonat rurale”.

Sipas tij, një ndër projektet kryesore gjatë këtij viti është edhe rivitalizimi i kalasë së Pogradecit.

“Ndërkohë, do të pajisen me sinjalistikë informuese të gjitha atraksionet natyrore dhe kulturore. Do të ngrihet qendra e re e informacionit turistik si dhe markimi i shtigjeve turistike në zonat malore”, tha Xhakolli.

Me një paketë të plotë turistike, që nga liqeni i magjishëm, tek aktivitetet malore, bashkë me monumentet e kulturës, traditën dhe kulinarinë, Pogradeci tashmë është një tjetër destinacion shumë i kërkuar.

Pogradeci dhe rrethinat e tij ofrojnë për turistët një atraksion të përhershëm turistik me natyrën, kulturën dhe historinë që i japin madhështinë, ndërsa liqeni i jep hijeshinë.

Përveç liqenit, Pogradeci ka edhe shumë bukuri të tjera natyrore në periferinë e tij, në fshatrat që e rrethojnë, ka monumente të rëndësishme kulturore e historike që të ftojnë t’i vizitosh.