Gazetarët e Top Channel kanë arritur të sigurojnë ekskluzivisht dokumentin e Gjykatës së Ekstradimeve të Londrës, sipas së cilës, bazuar në një urdhër arresti ndërkombëtar, ka arrestuar boksierin e njohur shqiptar Florian Marku dhe e ka nxjerrë atë përpara trupës gjykuese, e cila i ka komunikuar akuzat.

Sipas kësaj shkrese, Florian Marku akuzohet për tentativë vrasje, plagosje me pasoja te rënda, armbajtje pa leje dhe përdorim arme.

Marku ka pranuar me vullnet të plotë të ekstradohet tashmë drejt shtetit grek për të vijuar pjesën e mbetur të dënimit, pasi bëhet fjalë për ngjarjen e vitit 2010, kur ai është përleshur në një klub nate në Selanik ndaj disa shtetasve rusë.

Sipas mediave greke për atë ngjarje rëndon një dënim prej 7 vitesh burg, për të cilat më parë Florian Maku ka kryer vetëm 1.5 vite. Për momentin, Top Channel ka mësuar se boksieri shqiptar është në pritje, që autoritetet greke të shkojnë ta marrin atë, i cili ndodhet në një paraburgim të Londrës.

Edhe pse nga pala mbrojtëse ka kërkuar që të lihej i lirë me kusht, Gjykata e Ekstradimeve të Londrës e ka rrëzuar poshtë kërkesën, nën arsyetimin se ky shtetas nuk mund të lihet i lirë me kusht, bazuar tek akuzat serioze të ngritura ndaj tij.