Shqipëria Përzgjidhet për Partneritet me MCC Pas Kalimit të Ligjit për Reformën e Shtetit Kandidat për Korporatën Sfida e Mijëvjeçarit

UASHINGTON (08 janar 2025) – Më 23 dhjetor 2024, Akti i Reformës së Vendeve Kandidate të Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit u kthye në ligj, duke fuqizuar Korporatën e Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC) për të sjellë mjetet e saj të zhvillimore në një grup vendesh gjithnjë e më të larmishëm. Bordi Drejtues i MCC-së përdori këtë autoritet të ri për të përzgjedhur Shqipërinë si të pranueshme për të zhvilluar një marrëveshje kompakte të krijuar për të ndihmuar vendin të ulë nivelin e varfërisë përmes rritjes ekonomike.

Shqipëria u zgjodh në vlerësim të historisë demokratike të vendit, përpjekjeve të institucioneve të saj për të luftuar korrupsionin dhe për të mbështetur sundimin e ligjit, si dhe sfidat e vazhdueshme zhvillimore me të cilat Shqipëria vazhdon të përballet.

MCC dhe qeveria shqiptare do të punojnë në bashkëpunim me organizatat dhe komunitetet lokale për të identifikuar kufizime të qenësishme që pengojnë rritjen ekonomike në Shqipëri. Kjo analizë bashkëpunuese, e drejtuar nga të dhëna, do të ofrojë informacion për hartimin e një programi. Madhësia dhe përmbajtja e programit përfundimtar varet nga puna analitike e bërë në partneritet mes MCC dhe qeverisë shqiptare, disponueshmëria e fondeve dhe miratimi i programit të propozuar nga Bordi Drejtues i MCC. MCC dhe ambasada presin me kënaqësi të punojnë ngushtë me qeverinë shqiptare për të nisur procesin për marrëveshjen e zhvillimit. Përzgjedhja nuk garanton që Shqipëria do të përfitojë një program kompakt. Bordi i MCC-së do të vazhdojë të kërkojë prova të zhvillimit të suksesshëm të programit kompakt dhe angazhimit të vazhdueshëm të Shqipërisë ndaj kritereve të kualifikueshmërisë të MCC-së.

Legjislacioni, i cili rezultoi nga një përpjekje ndërpartiake, zgjeron grupin e vendeve kandidate të MCC me 33 vende dhe e pozicionon agjencinë për t’u angazhuar më thellë në rajone të ndryshme anembanë botës. Kjo reformë përfaqëson një ndryshim historik që rrit misionin dhe ndikimin e agjencisë. Dje, MCC publikoi skedat e rezultateve për këtë grup të ri vendesh.

Kriteret rigoroze të kualifikueshmërisë së MCC-së dhe procesi i përzgjedhjes konkurruese krijojnë një nxitje të fortë për vendet që të reformojnë politikat e tyre edhe përpara se të shpenzohet një dollar i vetëm nga programi – i referuar si “Efekti MCC”. Vendet në mbarë botën po përdorin skedën e rezultateve të MCC-së si një udhërrëfyes për politikat dhe reformat institucionale për t’u kualifikuar për financim nga MCC dhe për të identifikuar se ku nevojiten përmirësime për të nxitur rritjen ekonomike.