Instituti Ndërkombëtar Republikan (IRI) sapo ka publikuar Anketën Kombëtare për Shqipërinë, ku spikat një mbështetje e lartë e qytetarëve për SPAK-un, i cili vazhdon të mbetet institucioni më i besueshëm në vend. Shumica e të anketuarve presin më shumë hetime dhe ndëshkime të politikanëve të korruptuar, për shkak se korrupsioni është për ta një ndër shqetësimet kryesore. Ata pohuan se nuk do të mbështesin në zgjedhje ato parti, që përkrahin ligje për të kufizuar punën e SPAK-ut.
Drejtori i IRI-t për Shqipërinë, John Fluharty, tha për Zërin e Amerikës se qytetarët mbështesin përpjekjet kundër korrupsionit për të përmirësuar jetën e tyre. Ai theksoi se lufta kundër korrupsionit rikthen besimin e njerëzve tek demokracia.

SPAK-u

Anketa Kombëtare e Institutit Ndërkombëtar Republikan (IRI) gjeti se Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) është sot institucioni më i besueshëm në Shqipëri (76%), e më pas renditen policia, ushtria dhe institucionet fetare, ndërsa institucionet më pak të besueshme janë Kuvendi dhe partitë politike.

Studimi mbështetet në përgjigjet e një mijë e dyqind qytetarëve të moshave nga 18 vjeç deri mbi 56 vjeç.