Zgjedhësit shqiptarë vijojnë të mbështesin Partinë Socialistë për një mandat të katër në pushtet. Të dhënat e sondazhit të fundit të Eduart Zaloshnjës në bashkëpunim me Report tv, të publikuara mbrëmjen e 16 janarit 2025, në emisionin “Frontline’ tregojnë se për PS sot do të votonin 50.5% e qytetarëve, 31.3% për PD, 16% për partitë e reja dhe 2.2% për partitë e vjetra. Ajo që vihet re është rritja e mbështetjes për socialistët në muajin janar me 2.4% krahasuar me dhjetorin.

Aktualisht edhe për PD ka një rritje të lehtë me 0.3%. Nga anketimi rezulton se edhe diaspora do tja jepte sot votën Edi Ramës me 52.9% mbështetje. Krahasuar me muajin dhjetor këtë vit duket se partitë e reja pëlqehen më pak nga elektorati, me një rënie të votimit me 3%. Ka një rritje të lehtë për partite e vjetra.

Pyetjes se cilin nga dy politikanët kryesorë kanë opinion më pozitiv, sondazhi tregon se shqiptarët zgjedhin pa hezitim Edi Ramën me 52.2% të votave. Madje në janar kryeministri ka një rritje të mbështetjes me 3.1%. Ndryshe rezulton Sali Berisha i cili ka vetëm 30% të mbështetjes, megjithëse me një rritje me 0.9% në janar. Rama sot sfidon Berishën edhe me votën e emigrantëve me një pëlqyeshmëri të 56.1% tyre. Ndërsa lideri demokrat pëlqehet 30.2%, 17.6% janë për asnjërin prej tyre.

Sa i takon arritjeve të qeverisë, në përgjithësi shqiptarët si brenda dhe jashtë shprehen pesimistë me 47% të votave, megjithëse ka një tendencë rritjeje me 2.3% të opinionit pozitiv gjatë muajit të parë të këtij viti.

Zgjedhësit u pyetën nëse i shohin normale sharjet dhe shpifjet e politikanëve ndaj njëri-tjetrit. 79.4% thonë se jo, ndërsa 11.2% i shohin normale, pjesa tjetër prej 9.4% janë të dyzuar.

Marrëdhëniet me SHBA-në
Në pritje të betimit si president të Donald Trump më 20 janar, shqiptarët jashtë dhe brenda vendit mendojnë se nuk do të ketë ndikim në marrëdhëniet e Ramës me SHBA. Për 50.3% të qytetarëve raporti i Ramës me Trump do të mbetet po njësoj, 19.3% mendojnë se do përmirësohen. Nga ana tjetër, 25.2% thonë se marrdhëniet do përkeqësohen, ndërsa 5.2% shprehen se janë të dyzuar.

Trafiku

Lidhur me trafikun në Shqipëri krahasuar me vendet përreth, zgjedhësit e prirur për të votuar shprehen se trafiku në vendin tonë është më i rënduar. 55.7% mendojnë se është më i rënduar, 25.2% thonë se është më pak i rënduar, ndërsa 19.1% janë të dyzuar.

Metodologjia e sondazhit

Kampioni: 2401 zgjedhës të prirur për të votuar; 1801 në territorin e Shqipërisë, të kontaktuar me SMS krejt të rastësishme të shpërndara proporcionalisht në çdo qark, si edhe 600 zgjedhës nga emigracioni, të kontaktuar përmes miqve/të afërmve këtu.

Kampioni u ripeshua statistikisht për ta përfaqësuar elektoratin sa më mirë demografikisht, gjeografikisht dhe politikisht.

Maksimumi i marzhit të gabimit statistikor: Plus/minus 3%.