Erion Braçe ka reaguar për ngjarjen e 21 Janarit, në të cilën u vranë katër protestues.

Në një postim në Facebook ai shkruan se “çdo thirrje për drejtësi nuk është thirrje për hakmarrje”.

“Sot është #21janar, përsëri -14 vite rresht! Ky që dëgjoni nuk është urdhri, është transmetimi i urdhrit të pushkatuesit: Me të kaluar gardhin e telave, do të hapni zjarr luftarak! ky është urdhri! Ta ta ta gjakos, gjakos! shikoni, të vjedhësh është një gjë-kriminale doemos; por të vrasësh për të vjedhur, duke vjedhur, për të mbrojtur vjedhjen e veten, është tmerr, tmerr!

Është kafshëri pastaj të vijosh urdhrat: Kujdes municionin, kujdes municionin! Jo njerëzit e opozitës, të ndryshëm nga ty, po edhe kundërshtarët e tu, por municionin me te cilin po i pushkaton, po i vret, barbarisht! e kuptoni cështë kjo? Dhe pyetjen nuk e kam për njerëzit e zakonshëm; pyetjen e kam për prokurore e gjykatës! Kjo histori ka 14 vite që nuk hetohet! Kjo histori ka 14 vite që nuk gjykohet! Nuk bëhet drejtësi! themelet e çdo sistemi bien këtu!

Çdo thirrje për drejtësi, nuk është thirrje për hakmarrje; as këto proceset e tjera, me e pa lidhje me ngjarjen, por me të njëjtin pushtet kriminal, nuk janë hakmarrje; nuk ka kush hak për të marre, sidomos mes politikanesh; duhet drejtësi, vetëm kaq! Jetët e Ziver Veizit, Hekuran Dedes, Faik Myrtajt, Aleks Nikës, nuk këmbehen me asgjë, asnjë hak; duhet drejtësi, kaq!“, shkruan Braçe.