Policia e Shtetit ka dhënë një njoftim zyrtar në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur në koncertin e zhvilluar nga Cinco Cavalli në ambientet e Kompleksit Olimpik në Tiranë, ku një person qëlloi me armë.

Sipas Policisë, ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të datës 1 janar. Gjithashtu bëhet me dije se janë shoqëruar dhe pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni për ngjarjen shumë shtetas të cilët dhanë deklaratën e tyre dhe është bërë i mundur identifikimi i shtetasit që kishte qëlluar me armë zjarri në ajër.
Njoftimi i Policisë

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr.2, pas njoftimit të marrë për të shtëna me armë në një ambient festiv në rrugën “Liman Kaba” me datë 01.01.2024, në orët e para të mëngjesit, menjeherë kanë organizuar punën me qëllim identifikimin e autorit dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.

Në vijim të veprimeve intensive shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr.2, shoqëruan dhe pyetën në cilësinë e personit që ka dijeni për ngjarjen shumë shtetas të cilët dhanë deklaratën e tyre në lidhje me ngjarjen.

Po në vijim të veprimeve si rezultat dhe i këqyrjes së kamerave, është bërë i mundur identifikimi i shtetasit që kishte qëlluar me armë zjarri në ajër. Për arsye se hetimi vijon nuk bëjmë me dije gjeneralitet e tij. Nga ngjarja nuk ka pasur asnjë person të lënduar.

Komisariati i Policisë Nr.2, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit po punojnë për dokumentimin e plotë e ngjarjes si dhe për kapjen dhe vënien përpara përgjegjesisë penale të autorit të dyshuar.