Dosja “Partizani” është vetëm maja e ajsbergut për Sali Berishën, pasi nëse SPAK heton siç duhet të gjitha aferat e tij përfundojnë pas hekurave jo vetëm ish-kryeministri, por edhe e gjithë banda që ka bashkëpunuar me të për të shkaktuar krime dhe grabitje masive në Shqipëri. Historikisht Berisha është cilësuar si politikani që ka “rrjepur” popullin në 30 vite, mirëpo për herë të parë prokurorët specialë shqiptarë nën patronazh nga amerikanët kanë gjetur forcën që ta hetojnë.

Situata për kreun e PD sa vjen dhe rëndohet, pasi edhe nëse do t’ia hedhë paq aferës “Partizani”, dosjet e tij janë “mal” në SPAK, duke nisur që nga “21 Janari”, vrasjet në Tropojë, “Gërdeci”, apo edhe çështje të tjera që lidhen me fshehjen e pasurisë dhe pastrimin e parave. Por Berisha duhet të shqetësohet edhe për një tjetër kallëzim që ka shkuar së fundmi në Prokurorinë e Posaçme.

Në dokumentet që disponon gazeta “SOT”, avokati i njohur Idajet Beqiri kërkon nga SPAK fillimin e procedimit penal për kryedemokratin dhe kryerja e hetimeve, për kryerjen e veprave penale të “Falsifikim i dokumenteve zyrtare”, “Shpërdorim i detyrës” dhe “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, parashikuar si vepra penale nga nenet 186, neni 148 dhe 190 të Kodit Penal.