Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, administratori i OSHEE, Enea Karakaçi dhe administratori i OSSH, Blendian Dalipi kanë zhvilluar një takim me punonjës të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, në rolin e lexuesve të matësve të energjisë, për të diskutuar mbi masat e marra dhe detyrat që dalin nga skema e re e faturimit të energjisë elektrike.

Ajo theksoi se nga 1 shkurti do të aplikohet ulja e çmimit të energjisë elektrike për abonentët familjarë.

Më tej, Balluku pohoi se ndër masat e marra nga ana e OSHEE-së është shtimi i numrit të lexuesve deri në vendosjen në të gjithë vendin të matësve inteligjentë.

”Kemi një trupë të konsiderueshme prej 870 punonjësish. Kësaj trupe do t’i shtohen edhe 120 punonjës të rinj, pasi nga 1 shkurti OSHEE do të aplikojë një çmim të ri, 10,5% më të ulët për më shumë se 1 milion abonentë familjarë, që përbëjnë 95% të numrit total të abonentëve”, tha Balluku.

Pak ditë më parë, Bordi i Entit Rregullator të Energjisë (ERE) vendosi që çmimi për konsumatorët familjarë që shpenzojnë deri në 700 kilovat, do të jetë 8,5 lekë, kurse ata që shpenzojnë më shumë do paguajnë të njëjtin çmim aq sa është aktualisht.

Kryeministri Edi Rama e cilësoi këtë ulje si një arritje që është nga më domethënëset. Sipas tij, kjo është ulja e parë në historinë e këtyre 35 viteve të çmimit të energjisë elektrike.