Një 12-vjeçar ka humbur jetën një ditë më parë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. I mituri nga fshati Pocestë i bashkisë së Maliqit pasi ishte ndjerë keq, ishte dërguar për t’u trajtuar pranë spitalit rajonal të Korçës, por duke qenë se gjendja e tij shëndetësore ishte rënduar, e sollën në Tiranë.
Në lidhje me ngjarjen e rëndë, familjarët e të miturit jashtë kamerave u shpresën se i mituri ishte i shëndetëshëm dhe kurrë më parë nuk kishte pasur probleme shëndetësore. Sipas tyre, mjekët kanë qenë neglizhentë pasi e kishin shtruart në pavionin e “COVID”, kur duhet që të ndiqej në reaminacion.
“Djali ka qenë i shëndetshëm, nuk ka pasur asnjë problem shëndetësor më parë, merrej me aktivitet sportiv. Në fund të dhjetorit ka shkuar në spitalin e Korçës me simptoma të gripit (me të vjella dhe temperaturë të lartë), është trajtuar në spitalin e Korçës në reanimacion. Ditën e djeshme e kemi çuar urgjent në Tiranë dhe na i shtruan në pavionin e Covid, djali tonë nuk ishte për aty, ata duhet ta ndiqnin në reanimacion. U shtrua aty dhe filloi të kishte të vjella të pandërprea, ia komunikoja këtë infermieres dhe më thoshte ‘nuk ka mundësi’. Djalin nuk e trajtuan siç duhej, në një moment ai shtrëngon gjoksin fort aty e marr në krah për ta çuar tek urgjenca e Pediatrisë dhe rrugës djali më mbaroi në krahë. Ajo çfarë na thanë mjekët është se pësoi arrest kardiak, a mundet që nga një virozë djali të humbasë jetën?! Nuk vuante as nga diabeti as nga zemra por nga mjekimet e shumta diabeti ditën e fundit i shkoi 200. Jemi të tronditur dhe gjërat nuk duam t’i çojmë më tej, na respektoni në dhimbjen tonë,”-kanë deklaruar familjarët.
Pas pretendimeve të familjarëve, ka pasur edhe një reagim nga QSUT. Sipas tyre, djali ndërroi jetë në Shërbimin e Terapisë Intensive Pediatrike. Pra, jo në pavionin ku pretendojnë familjarët. Ndërsa po sipas tyre, pas ekzaminimeve të kryera, pacienti është diagnostikuar me miokardit akut.
*Miokarditi akut është një sëmundje inflamatore e muskujve të zemrës (miokardit) që mund të shkaktojë dështim të zemrës dhe anomali të ritmit të zemrës. Kjo sëmundje mund të shfaqet si pasojë e përhapjes së agjentëve të ndryshëm infektivë, si: viruset, bakteret, mykut si dhe agjentëve toksikë, alergjenëve madje edhe disa barnave. Nëse dëmtimi i muskujve të zemrës është i rëndë, pacienti mund të ketë gulçim, lodhje, dhimbje në kraharor dhe simptoma të tjera.
Reagim për mediat lidhur me rastin e pacientit L.S., 12-vjeç:
QSUT i shpreh ngushëllimet më të thella familjes së 12-vjeçarit L.S në këtë moment të vështirë. Nisur nga interesi i publikut për rastin tragjik të ndarjes nga jeta të 12-vjeçarit, informojmë se pacienti L.S. është hospitalizuar në Spitalin Pediatrik të QSUT më datë 7 janar 2024 dhe ka ndërruar jetë më datë 8 janar 2025, në orën 01:45, në Shërbimin e Terapisë Intensive Pediatrike. Pas ekzaminimeve të kryera, pacienti është diagnostikuar me miokardit akut, një sëmundje e rrallë dhe e rrezikshme, e cila shoqërohet me shkallë të lartë të vdekshmërisë.
Pavarësisht kujdesit maksimal dhe trajtimeve të kryera sipas protokolleve mjekësore, ndarja nga jeta e pacientit ka qenë e pamundur të parandalohet. Duke mirëkuptuar dhimbjen e familjes dhe interesin e publikut, QSUT riafirmon përkushtimin për transparencë dhe për ofrimin e trajtimeve më të mira për çdo pacient.
Ndërkohë në lidhje me ngjarjen, Policia e Shettit ka nisur për të zbardhur rrethanat e ngjarjes, por prindërit e të ndjerit nuk kanë pranuar që të kryhet ekspertizë mjekoligjore.