Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Diasporën, Taulant Balla teksa ka folur për votën e diasporës ka deklaruar se janë mbi 50 mijë aplikime deri më tani.
Përmes një videomesazhi të publikuar në facebook, ai theksoi se ka një numër të lartë gabimesh në aplikime gjatë procesit të regjistrimit të diasporës për pjesmarrjen në zgjedhjet e 11 majit.
Ministri Balla tregon dhe mënyrën se si bashkëatdhetarët të shmangni gabimet gjatë regjistrimit në portalin e KQZ.
Gabimet në aplikime:
-Gabimi i shpeshtë dhe më i lehti për t’u tejkaluar. Keni ngarkuar si dokument verifikues të adresës Kartën e Identitetit italiane vetëm anën e përparme të ID italiane, e cila nuk përmban adresën. Kujtesë: Adresa gjendet e shënuar në pjesën e pasme të ID.
-Një gabim tjetër është kur keni ngarkuar patentën e vendit ku jeni, për shembull Itali, e cila nuk e përmban si element adresën e personit.
-Keni ngarkuar Leje Qëndrimi “residence permit”, e cila nuk përmban adresën.
-Keni ngarkuar Leje Qëndrimi “Permanent resident card”, e cila nuk përmban adresën.
-Keni ngarkuar pasaporta të shteteve të ndryshme, të cilat nuk kanë të dhëna për adresën.
-Keni ngarkuar si dokument provues screenshot i adresës nga Google Maps.
-Keni ngarkuar faturë blerje e një produkti, i cili përmban emër dhe të dhënat e adresës.
-Keni ngarkuar si provë adrese dokumente shqiptare (pasaportë, letërnjoftim, certifikatë familjare, patentë të lëshuar nga Shteti Shqiptar).
-Janë ngarkuar zarfe poste ku gjendet adresa juaj, por nuk vlejnë si një dokument i vlefshëm.
Regjistrimi bëhet nëpërmjet Platformës Elektronike të Regjistrimit të votuesve nga jashtë.
KQZ ka përcaktuar se dokumentacioni i nevojshëm i deklarimit të adresës duhet të përmbajë emrin e zgjedhësit të njëjtë me emrin në dokumentin e ID për regjistrim në PER (një prej tyre)
-Dokument pronësie ose ekuivalent i lëshuar në shtetin e rezidencës, që provon pronësinë e banesës
-Dokument që provon rezidencën në shtetin e huaj, i lëshuar nga autoritetet përkatëse
-Kontratë qiraje ose huapërdorje të banesës
-Dokument/e bankare (kontratë kredie, vërtetim bankar etj), që përmban adresën e banimit
-Kontratë furnizimi ose faturë të furnizimit me ujë në banesë
-Kontratë furnizimi ose faturë të energjisë (gaz ose elektrike) në banesë
-Kontratë ose faturë të abonimit të shërbimit digjital të transmetimeve audiovizive
-Kontratë ose faturë të ofrimit të shërbimit të internetit/telefonisë fikse në banesë
-Leje drejtimi automjeti (patentë), në rastet kur shënohet adresa e banimit
-Dokument të lëshuar nga kompetent i shtetit ku ka vendbanimin, i cili vërteton qëndrimin e zgjedhësit në një institucion shëndetësor, kamp emigracioni, apo tjetër të ngjashëm
-Çdo dokument tjetër, i lëshuar në shtetin e huaj, që provon qëndrimin e shtetasit shqiptar në adresën e vetëdeklaruar jashtë vendit
Për regjistrimin ju nevojitet një pajisje elektronike (telefon inteligjent, laptop, PC i pajisur me kamera ballore) për verifikimin nëpërmjet fotografimit të fytyrës për regjistrimin në PER dhe skanimi (fotografimi) i dokumentit të identifikimit dhe të dokumentit tjetër të deklarimit të adresës.