Votuesit shqiptarë që jetojnë jashtë, për herë të parë kanë mundësi që këtë vit të marrin pjesë përmes votës në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.

Procesi për regjistrimin në Platformën Elektronike të Zgjedhësve (PER) ka filluar në 11 janar dhe do të zgjasë deri në 4 mars.

Sipas shifrave zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, numri i votuesve nga jashtë të regjistruar ka arritur shifrën 83 478, ndërsa deri sot në orën (09:30) janë miratuar 49 781 kërkesa.

Sipas gjinisë, në përqindjen më të lartë të regjistruesve janë meshkujt me 51 598 (61.8%) kërkesa, ndërsa femrat janë 31 880 (38.2%).

Për sa i takon kërkesave për regjistrim sipas grup-moshave, numrin më të lartë të kërkesave e ka grup-mosha 26-35 vjeç me 23 447 kërkesa, më pas grup-mosha 36-45 vjeç me 22 861 kërkesa, nga grup-mosha 46-55 janë regjistruar 15 916, mbi 56 vjeç janë 12 909 kërkesa për regjistrim dhe nga grup-mosha 18-25 vjeç janë 8 345 kërkesa për regjistrim.

Sipas të dhënave janë refuzuar 28 978 kërkesa.

Kërkesat për regjistrime janë nga vende të ndryshme të botës. Numri më i lartë i kërkesave është regjistruar nga Italia me 29 543, e ndjekur nga Greqia me 22 373, Gjermania me 10 694, si dhe nga SHBA me 6 605.

Sa i takon kërkesave sipas qarqeve, numri më i lartë i aplikimeve është për Tiranën me 15 502, më pas bashkia e Fierit me 12 783, Korça me 9 444, Durrësi me 7645 etj.