Profesori dhe drejtuesi i Universitetit Europian të Tiranës, Selami Xhepa ishte i ftuar sot në podkastin e kryeministrit Rama.

Në “Flasim”, profesor Xhepa u ndal në disa piketa të ekonomisë dhe perspektivës së zhvillimit në raport me Bashkimin Evropian, aty ku Shqipëria synon të integrohet.

Profesor Xhepa bëri një krahasim me nivelin e prodhimit të mallrave në vendin tonë sot, me atë që ai e quajti vitin pik të Shqipërisë, vitin 1986, duke marrë si tregues shifrat që ai i konsideron një ndryshim epokal për vendin.

“Vetëm në anën e ekonomisë në vitin pikë 1986 ne prodhonim dy miliardë dollarë mallra, sot ne prodhojmë 23 miliardë dollarë mallra. Ky është një indikator për ta matur. E nisëm tranzicionin me 360 dollarë për frymë, e kemi këtë vit sipas Buxhetit, mbi 10 mijë dollarë për frymë. Nëse do ta masim me të shkuarën, ne e kemi fituar betejën, problemi është që duhet ta fitojmë me të ardhmen. Me të shkuarën kemi një kapërcim epokal, por standardi jonë tani duhet të jetë Bashkimi Evropian, pra sa e shkurtojmë distancën me ta”, tha Xhepa.