Pas kontakteve të presidentit amerikan Donald Trump me liderin e Kremlinit, Vladimir Putin, i cili dukej se parashikonte një zgjidhje të konfliktit në Ukrainë në favor të interesave të Moskës, duke anashkaluar Kievin dhe partnerët evropianë të Aleancës Atlantike, rastësia është e habitshme që konferenca vjetore për sigurinë evropiane mbahet në Mynih.
Ky qytet njihet në histori për një tjetër takim të nivelit të lartë, i cili u zhvillua në vitin 1938 dhe mbeti në imagjinatën kolektive si shembull për dorëzimin ndaj kërkesave të një agresori, që ishte asokohe Gjermania Nacional-Socialiste.
Por çfarë ndodhi saktësisht në atë rast?
Me ardhjen në pushtet në vitin 1933, Adolf Hitler inauguroi një politikë të riarmatimit të përshpejtuar të vendit të tij, pa e fshehur synimin për të përmbysur si çorape strukturën evropiane si rezultat i disfatës gjermane në Luftën e Parë Botërore dhe Paqes së Versajës më pas.
Në vitin 1936 Rajhu i Tretë futi trupat e tij në Rheinland, zonë e cila sipas marrëveshjeve do të mbetej e çmilitarizuar dhe më pas në mars 1938 vazhdoi aneksimin e Austrisë.
Objektivi i deklaruar i Führer-it ishte të bashkonte me Gjermaninë të gjitha popullsitë gjermanishtfolëse që ishin jashtë kufijve të saj.
Pra, pas Austrisë erdhi radha e Çekosllovakisë, duke përfshirë rajonin e Sudetenland-it, i populluar kryesisht nga banorë me kombësi gjermane.
Hitler-i filloi përgatitjet për pushtimin e atij vendi, ndërkohë kishte nisur një fushatë të fuqishme propagandistike në lidhje me diskriminimin e supozuar ndaj të cilit supozohej se i nënshtrohej pakica sudete nga qeveria e Pragës.
Ndërkohë, shërbimet sekrete naziste organizuan një sërë veprimesh dhe incidentesh të fshehta për të destabilizuar situatën në kufi.
E gjithë kjo alarmoi Francën dhe Britaninë e Madhe, aleate të Çekosllovakisë.
Filluan kontaktet për të shmangur një konflikt të armatosur që mund të kishte marrë përmasa kontinentale.
Kryeministri britanik i kohës Neville Chamberlain u takua me Hitler-in në Bad Godesberg më 22 shtator të vitit 1938 dhe hipotezoi një zgjidhje të bazuar në lëshime të kufizuara territoriale nga Çekosllovakia.
Ishte linja e “zbutjes” e bazuar në idenë se një modus vivendi mund të gjendej duke i bërë lëshime Rajhut të Tretë. Por diktatori nazist donte një dorë të lirë.
Më 26 shtator Hitler-i mbajti një fjalim shumë të dhunshëm në Berlin, në të cilin kërcënoi me luftë nëse kërkesat e tij nuk pranoheshin deri më 1 tetor.
Dukej se nuk kishte më asnjë shans për të ruajtur paqen.
Si përpjekje e fundit, me ndërmjetësimin e Benito Mussolini-t, u organizua me ngut në Mynih një takim, ku morën pjesë krerët e Gjermanisë, Italisë, Britanisë së Madhe dhe Francës për të kërkuar një zgjidhje paqësore të krizës së Sudetenland-it.
Memoria e luftës së mëparshme botërore rëndoi shumë mbi Chamberlain dhe kryeministrin francez Édouard Daladier.
Dhe në thelb të dy demokracitë perëndimore, në logjikën e zbutjes, nuk i konsideruan të pabazuara kërkesat e Rajhut të Tretë në bazë të parimit të vetëvendosjes së popujve që do të zbatoheshin ndaj banorëve gjermanë të Sudetenland-it.
Aq sa pranuan kërkesën e Fyhrer-it për të përjashtuar Çekosllovakinë nga bisedimet.
Konferenca filloi më 29 shtator rreth orës 12.45 pasdite dhe menjëherë mori një drejtim të favorshëm për pretendimet e Rajhut të Tretë.
Në orët e para të pasdites Mussolini paraqiti një propozim për një marrëveshje, bazuar në një draft të përgatitur nga diplomatët gjermanë.
Dhe midis orës dy dhe tre të mëngjesit të 30 shtatorit u nënshkrua Pakti i Mynihut, i cili i lejoi Gjermanisë të pushtonte ushtarakisht Sudetenland-in midis 1 dhe 10 tetorit, ndërsa Franca dhe Britania e Madhe morën përsipër të garantonin integritetin territorial të Çekosllovakisë në kufijtë e saj të rinj.
Në Evropë pati lehtësim të përgjithshëm në përfundim të marrëveshjes, e cila shmangte përdorimin e armëve.
Por ishte një mendim i dëshiruar.
Disa muaj më vonë, në mars 1939, Hitleri përfitoi nga mosmarrëveshjet midis çekëve dhe sllovakëve për t’i dhënë goditjen përfundimtare atij vendi tashmë të gjymtuar.
Trupat gjermane hynë në Pragë: rajonet çeke të Bohemisë dhe Moravisë u bënë protektorat i Gjermanisë, ndërsa Sllovakia fitoi pavarësinë, por në një gjendje të qartë të një shteti satelitor të Rajhut.
Vetëm atëherë Londra dhe Parisi e kuptuan se Hitler-i ishte një bashkëbisedues krejtësisht jo i besueshëm, synimet ekspansioniste të të cilit duhej të kundërshtoheshin me vendosmëri.
Kështu, kur Berlin-i filloi të bënte pretendime të mëtejshme ndaj Polonisë, Chamberlain qëndroi në anën e Varshavës.
Rruga për shpërthimin e Luftës së Dytë Botërore ishte e qartë dhe Pakti i Mynihut do të hynte në histori si përpjekje e kotë për të qetësuar një tiran me ambicie të tepruara me çmimin e tradhtisë së aleatëve të tij.
Paralajmërimi i dhënë Chamberlain-it nga Winston Churchill, kundër dorëzimit ndaj Hitler-it, doli të ishte profetik: “Mund të zgjidhni midis çnderimit dhe luftës. Ti ke zgjedhur çnderimin dhe do të kesh luftë”. /Corriere della Sera/