Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Diasporën, Taulant Balla dhe Deputetja Evis Kushi zhvilluan një takim me sipërmarrës shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Dyseldorf, Gjermani.

Në fjalën e tij Balla tha se vota e Diasporës është një moment historik dhe se Diaspora ka një kontribut të pazëvendësueshëm në ekonominë shqiptare.

“Jemi këtu bashkë me kolegen time, me Evisin dhe shumë miq, për një tjetër moment historik. Diaspora ka një kontribut të pazëvendësueshëm në ekonominë tonë me 1 miliardë euro remitanca që janë dërguar në Shqipëri gjatë vitit të fundit. Natyrshëm që do ketë diaspora përfaqësuesit e vet. Unë dhe Evisi mund t’ju flasim në emrin e Partisë Socialiste. Ne do të kemi listat tona pothuajse në të gjitha qarqet, burra e gra profesionistë të shkëlqyer, të cilët i kanë bërë nder Shqipërisë. Na bëjnë nder ne shqiptarëve me suksesin e tyre. Secili prej jush sot këtu është një krenari për Shqipërinë,” u shpreh Balla në takim me sipërmarrësit shqiptarë në Dyseldorf.

Balla kërkoi votën e shqiptarëve, e cila nuk mund të jepet më 11 maj nëse nuk regjistrohen deri më 4 mars në http://kqz.gov.al.