Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, priti drejtuesit e Shoqatës Italiane të Kontabilistëve Shqiptarë të Miratuar (ADCAI). Në takim u diskutuan kërkesat dhe propozimet e shoqatës në funksion të bashkëpunimit strategjik me institucionet shqiptare. Ministri Balla i vlerësoi kontabilistët për punën e tyre në mbështetje të bizneseve shqiptare që operojnë në Itali.

“Janë mbi 30 mijë sipërmarrje shqiptare në Itali që janë një kontribut i rëndësishëm për vendin ku jetojnë dhe gjithashtu një burim krenarie për Shqipërinë, sepse japin kontribut në ekonominë shqiptare nëpërmjet remitancave. 1 miliard euro ishin në vitin 2024 dhe sigurisht edhe nëpërmjet turizmit, sepse nuk e harrojnë kurrë Shqipërinë. Sepse ka një pjesë të turizmit që përbëhet nga turizmi patriotik ku nga 4.5 miliardë euro të ardhura vitin e kaluar, një pjesë e rëndësishme erdhi nga diaspora.
Vitet e fundit, sidomos dekadën e fundit, Shqipëria ka marrë një zhvillim ekonomik të rëndësishëm jo vetëm me sipërmarrje të huaja, por edhe shqiptarë që hyjnë në tregun italian. Shoqata e kontabilistëve shqiptarë në Itali ka një rol të rëndësishëm në asistimin e këtyre bizneseve, duke e njohur shumë mirë terrenin dhe ligjet italiane,” deklaroi ministri Balla në takim me kontabilistët shqiptarë që punojnë në Itali.
Balla u kërkoi atyre ndihmë për ndërgjegjësimin e shqiptarëve në Itali, për t’u regjistruar e për të votuar më 11 maj në një proces të rëndësishëm për të ardhmen e vendit amë.

“Profesionistët shqiptarë janë urë lidhëse mes dy vendeve dhe mund të ndihmojnë në këtë fazë të rëndësishme dhe përfundimtare në procesin e integrimit europian. Gjithmonë krenari dhe kënaqësi të takoj bashkatdhetarë që arrijnë majat profesionale në vendet ku jetojnë dhe japin kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e Shqipërisë,” tha ministri.
Shoqata Italiane e Kontabilistëve Shqiptarë të Miratuar është një organizatë që përfaqëson profesionistët shqiptarë në fushën e kontabilitetit, financave dhe këshillimit tatimor në Itali. Kjo shoqatë është krijuar me synimin për të ndërtuar ura bashkëpunimi midis Shqipërisë dhe Italisë, duke ndihmuar në lehtësimin e shkëmbimit të njohurive, promovimin e bizneseve dhe fuqizimin e komunitetit të profesionistëve shqiptarë jashtë vendit.

Në takimet në Tiranë, ata kërkojnë njohjen zyrtare të Shoqatës nga autoritetet shqiptare, të njihet si një entitet zyrtar dhe strategjik për konsulencën dhe bashkëpunimin profesional mes dy vendeve, si dhe përfshirjen e ADCAI në aktivitete zyrtare dhe bilaterale.