Kryeministri Edi Rama thotë se PS do të vijojë të mbështesë reformën në dretjësi, pavarësisht kostove ndryshe nga kundërshtari i tij politik, Sali Berisha i cili dje aleatëve u premtoi se do të çmontojë SPAK nëse do të fitojë zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Në rubrikën “Sy m’sy, përmes një videomesazhi nga makina, kryeministri Rama replikoi me komentuesit duke i kujtuar se është kjo parti që ka vendosur në shina reformën në drejtësi që po ndëshkon të ‘pandëshkueshmit’.
Madje arritjet e kësaj reforme janë shkaku që Mbreti Felipe VI i Spanjës kryetar nderi firmosi që Kongresi Ndërkombëtar I Ligjit të bëhet në Shqipëri në 2027.
Komentuesi: Sot Sali non grada postonte vizitën e tij në Gjermani dhe “krenohesh dhe krekosesh”, se na kishte taku Doris Pak 85 vjeçe dhe disa pleq të parlamentit Gjerman!!!, që i ka paguar vite më parë, që ta mbështesnin në vjedhjet dhe babëzinë e tij, ndaj qytetarëve shqiptarë. Ti Edi Rama sot, po na “krenohesh dhe krekosesh”!! se paske taku mbretin e Spanjës, që edhe sot, ky mbreti i Spanjës, akoma nuk e njeh shtetin e Kosovës. Ku është “intetesantia” këtu?!!!! Edhe Gězim Kulufi të ishte kryeministër sot, do shkonte të takonte mbretin e Spanjës, si përfaqësues ligjor I Shqiptarëve, he ti sot, prandaj shkon ti në takim me mbretin! Kaq e thjeshtë është kjo gjëja e “takimit”!!!! Aman ore!!! se na hapët barkun!!!! me këto marrëzira!
Kryeministri Edi Rama: Dakord mo dakord për të gjetur bishta jemi të vetmit ne, po interesantja këtu është se për herë të parë mbreti i Spanjës pret në audiencë kryeministrin e Shqipërisë. Po jo se e kishte për detyrë, a për qokë, apo se mua më ra rruga nga shtëpia e tij. Por, sepse Shqipëria u zgjodh të mikpresë Kongresin Botëror të Ligjit, mes kandidaturash të forta dhe shumë më me emër sa ne në botën demokratike. Po, pse u zgjodh Shqipëria? Sepse bordi i Shoqatës Botërore të Juristëve që organizon edhe këtë Kongres Botëror të Ligjit, kryetar nderi i të cilit është mbreti i Spanjës vlerësoi gjithçka që Shqipëria ka bërë me reformën drejtësi.
Po, po, me reformën drejtësi në një përpjekje të jashtëzakonshme për të çliruar drejtësinë nga duart e pushtetit politik pas 100 e kusur vitesh. Natyrisht që kush pret që drejtësia në Shqipëri të jetë pa probleme, pa boshllëqe, të funksionojë si një sahat që nuk gabon, arsyeton nxitimthi, natyrisht nga dëshira për më të mirën, po nxitimthi se një shtëpi pa leje ndërton robi dhe i duhen dy e tre vjet, po shtet ndërtimi demokratik, ngritja e institucioneve demokratike, funksionimi në lartësinë e pritshmërive i një drejtësie të re në një vend ku për 100 e kusur vjet s’ka pasur drejtësi, nuk e do kohën e vet. Sigurisht që e do! Po ama rëndësi, ka progres i përvitshëm, progres i përmujshëm, i përditshëm madje dhe për këtë arsye, edhe anëtarësimi në Bashkimin Europian ka një rëndësi madhore, sepse do t’i vërë vulën pakthyeshmërisë së këtij progresi dhe një vendi të sundimit të ligjit.
Në këtë pikë, s’besoj se ka diskutim që ajo që ka ndodhur me pavarësimin e drejtësisë Shqipëri në vetëm 10 vitet e fundit, nga krijimi i Komisionit të Reformës në Drejtësi, në 2014, tek miratimi i saj në 2016, tek spastrimi rrënjësor i sistemit nga ata më të korruptuarit përmes vettigut, tek ngritja e institucioneve të reja të drejtësisë, pastaj tek goditjet majtas e djathtas të individëve të lidhur me pushtetin politik në vitet e fundit, nuk ndodhi pra, nuk ndodhi në 100 e kusur vite që pararendën reformën drejtësi, ku asnjë person i lidhur me pushtetin politik nuk u hetua apo gjykua nga një drejtësi e pavarur.
Ky është fakti dhe kush e udhëhoqi dhe kush e garanton këtë kthesë historike për shtetin e shqiptarëve. Natyrisht, shumica e sotme dhe ajo e nesërmja patjetër në qeveri, unë dhe Partia Socialiste. Prandaj e votoni apo jo forcën tonë reformiste, e doni apo jo, jepini hakun dhe kujdes, kujdes, se të tjerët drejtësisë së re duan vetëm t’i hedhin lakun, qoftë ata të oxhakut me blozë, qoftë këta të mangalleve të vogla të vjetër e të rinj që janë të njëjtët në një barrikadë, përfshirë edhe kundër reformës në drejtësi pavarësisht se çfarë thonë.
Çfarë deklaroi Berisha dje?
Në tryezën ku ftoi aleatët Berisha u kërkoi bashkim për të rrëzuar Edi Ramën, para gazetarëve u shfaq me premtimin se pasi të fitojë betejën me Ramën, radhën do ta ketë SPAK
“Ne me Komisionin e Venecias do i kthejmë drejtësisë shqiptare pavarësinë dhe do çmontojmë organizatën kriminale SKAPI i partisë”
Shqipëria do të organizojë në 2027-ën, Kongresin Botëror të Ligjit. Marrëveshja u firmos dje në Madrid të Spanjës. Gjatë fjalës së tij mbajtur në ceremoni Rama theksoi se reforma në drejtësi nuk solli një sistem gjyqësor të pastër nga gjyqtarë e prokurorë të korruptuar por dhe një gjyqësor jo në duart e politikës që godet pa dallime politike.
“Dua të them kemi kaluar një reformë drejtësie, pastrim të drejtësisë nga gjyqtarë dhe prokurorë të korruptuar. Procesi i rivlerësimit ka marrë vëmendje dhe ka qenë thelbësor për ecjen në Europë. Kemi tashme një gjyqësor jo në duart e politikës. Shohim dhe njerëz nga shumica jonë të japin llogari para drejtësisë. E dinim këtë dhe nuk pendohemi” tha Rama.