“Carvan Horse Riding Albania”, që kombinon pasionin për kuajt dhe dashurinë për natyrën, është kthyer ndër atraksionet që tërheq turistë të shumtë vendas e të huaj.
Kristina Fidhi në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare tregon se si lindi kjo ide për të ndarë me të tjerët këtë vend të jashtëzakonshëm, një nga parajsat e kalërimit në Evropë, dhe për të promovuar në mënyrë autentike e për të eksploruar Gjirokastrën dhe rrethinat e saj.
“Në fillim, ishim tre shokë të apasionuar pas kuajve dhe udhëtimeve. Bashkë vendosëm të krijonim ture kalërimi që jo vetëm ofronin aventurë dhe relaks, por edhe një mundësi për të njohur historinë dhe traditat e rajonit tonë. Filluam me një grup modest kuajsh dhe, falë dashurisë dhe punës së palodhur, sot kemi rreth 40 kuaj, me një objektiv për të arritur 50 shumë shpejt. Për ne, kali është më shumë se një mjet udhëtimi; ai është simbol i lirisë personale dhe një mënyrë për të njohur veten. Shumë nga klientët tanë të parë sot janë bërë miq të ngushtë të Caravan, duke ndarë me ne pasionin për këtë aventurë unike dhe lidhjen me natyrën”, theksoi Fidhi.
Turistët interes të lartë
Duke krijuar ture kalërimi ofrohet aventurë dhe relaks, por edhe një mundësi për të njohur historinë dhe traditat e rajonit të Gjirokastrës.
Interesi i turistëve është është gjithnjë në rritje dhe kjo vjen si rezultat i kombinimit të veçantë të natyrës, historisë dhe kulturës që ofron kjo eksperiencë.
“Sezoni ynë më i ngarkuar është nga marsi deri në nëntor, kur moti është i përshtatshëm për aktivitete në natyrë dhe peizazhet përcjellin dinamikën më të bukur të cdo stine. Gjatë kësaj periudhe zënë vend të gjitha paketat një javore të kalërimit. Sipas rastit dhe kërkesave edhe turet hiking dhe off-road. Turistët vendas e shohin si një mundësi për të zbuluar zona të reja, për të rikujtuar traditat shqiptare dhe për të ndjerë një lidhje më të thellë me rrënjët e tyre. Nga ana tjetër, turistët e huaj janë veçanërisht të magjepsur nga bukuritë natyrore të peizazheve malore, fshatrat autentike dhe historia e pasur e Gjirokastrës”, tha Fidhi.
Sipas saj, kalorësit nga e gjithë bota janë kureshtarë të zbulojnë një vend si Shqipëria, që për një kohë të gjatë ka qenë i izoluar dhe i panjohur për shumë njerëz.
“Ata janë të intriguar jo vetëm nga peizazhi i virgjër dhe fshatrat që ruajnë traditat, por edhe nga kali shqiptar, një racë me tipare unike që ka një histori të gjatë si shok i besuar në zonat malore. Eksperienca jonë e thekson këtë aspekt duke u ofruar kalorësve një mënyrë autentike për të lidhur aventurën me jetën lokale. Oferta jonë është veçanërisht tërheqëse për ata që janë të apasionuar pas kalërimit të aventurës dhe të rezistencës (endurance riding). Strukturimi i tureve tona në mënyrë të detajuar dhe profesionale ka sjellë kalorës me përvojë nga shumë vende të botës që kërkojnë një përvojë të veçantë dhe sfiduese. Udhëtimet tona nuk janë vetëm një shëtitje me kalë, por një udhëtim personal dhe emocional që të lidh me natyrën, kulturën dhe historinë në një mënyrë unike dhe të paharrueshme”, nënvizoi Fidhi.
Turistët kryesorë vijnë kryesisht nga Gjermania, Franca, Polonia dhe Zvicra, por edhe nga SHBA, Kanadaja dhe herë pas here nga vende të Azisë dhe Australisë.
Fidhi u shpreh se “këta turistë ndajnë një pasion të përbashkët për natyrën, historinë dhe eksperiencat autentike që kombinojnë eksplorimin dhe aventurën. Ata janë veçanërisht të interesuar për turet tona unike, si “Following Zagoria Pathways,” i cili ndjek shtigjet malore të Zagorisë, dhe “King Skerdilajd Army Route,” një itinerar historik që përshkon gjurmët e një ushtrie të lashtë. Përveç këtyre, ekspedita jonë epike 12-ditore përgjatë luginës së lumit Vjosë ka tërhequr vëmendjen e atyre që kërkojnë një aventurë të gjatë dhe të pasur me natyrë të paprekur dhe histori të pasur”.
Gjatë dimrit, shtoi ajo, ofrojmë një tur të veçantë që përfshin kalërimin në peizazhe të mbuluara nga bora, duke krijuar një atmosferë magjike për ata që duan të përjetojnë natyrën në formën e saj më të qetë dhe të pastër.
Fidhi tregon se “turistët shfaqin interes të madh për ndërveprimet me banorët vendas, ku përjetojnë gatime tradicionale dhe pjesëmarrje në aktivitete kulturore si këngët polifonike dhe artizanatet lokale”.
Këtë vit një risi është kombinimi i tureve me shkollën e kalërimit dhe praktikën e jogës.
“Kjo risi synon të ofrojë një përvojë gjithëpërfshirëse ku trupit dhe shpirtit i kushtohet kujdes i veçantë. Ky kombinim është pritur jashtëzakonisht mirë, sidomos nga ata që kërkojnë relaksim dhe një lidhje më të thellë me natyrën dhe veten gjatë udhëtimit”, tha Fidhi.
Destinacionet kryesore të preferuara nga turistët
Turistët që zgjedhin eksperiencat e ofruara nga ““Caravan Horse Riding Albania” janë tërhequr nga një gamë e gjerë zonash të pasura në histori, kulturë dhe natyrë.
Kristina Fidhi tha se “disa prej destinacioneve më të preferuara përfshijnë: Zagorinë, e njohur për urat e saj historike dhe peizazhet mahnitëse, kjo zonë është një parajsë për ata që kërkojnë një lidhje të thellë me natyrën dhe historinë; Kalaja e Gjirokastrës dhe fshatrat përreth: Vizitorët e duan këtë kombinim të historisë dhe natyrës, duke përfshirë edhe Antigonenë, një vend arkeologjik që sjell në jetë historinë e lashtë”.
“Parku Kombëtar i Vjosës, një nga lumenjtë e fundit të egër të Europës, tërheq ata që kërkojnë të eksplorojnë një mrekulli natyrore të paprekur. Kemi krijuar ture që ofrojnë përjetime të thella natyrore dhe një lidhje të veçantë me mjedisin. Gjithashtu Butrinti, një vend antik mbresëlënës është një destinacion i domosdoshëm për ata që kërkojnë një ndërthurje të kulturës dhe historisë mijëravjeçare”, shtoi Fidhi.
Sipas saj, pjesë e shëtitjeve janë edhe fshatrat piktoreske të bregdetit: zona si Saranda, Delvina, dhe fshatrat e tjera përgjatë bregdetit janë të njohura për pamjet e mrekullueshme, mikpritjen dhe arkitekturën tradicionale.
Një vend të veçantë zënë edhe manastiret dhe kishat historike, ku zona përreth Gjirokastrës dhe Përmetit është e pasur me vende të shenjta që tërheqin vizitorë për artin, historinë dhe qetësinë shpirtërore që ofrojnë.
“Urat mesjetare dhe banesat monumente kulture të përhapura në zona si Libohova, Dropulli, Këlcyra dhe më tej, këto monumente unike reflektojnë trashëgiminë e pasur të rajonit”, tha ajo.
Gjatë tureve, turistët vlerësojnë ndalesat në bujtina autentike ku përjetojnë mikpritjen tradicionale shqiptare dhe shijojnë ushqimet lokale të përgatitura me mjeshtëri.
“Kjo shumëllojshmëri atraksionesh krijon mundësinë për çdo turist të përjetojë një udhëtim të personalizuar, që kombinon historinë, natyrën dhe traditat unike të rajonit”, tha Fidhi.
Bashkëthemeluesja e “Caravan Horse Riding Albania” theksoi se “aktivitetin tonë e kemi zgjeruar duke përfshirë edhe zona të tjera të Shqipërisë jugore, të pasura me histori, natyrë dhe tradita të veçanta. Disa nga destinacionet e tjera përfshijnë fshatrat e Përmetit një rajon i njohur për peizazhet malore, mikpritjen dhe kuzhinën tradicionale. Turistët këtu mund të eksplorojnë rrugë të paprekura dhe të përjetojnë një Shqipëri autentike. Delvina dhe bregdeti, ku shëtitjet me kalë në afërsi të bregdetit ofrojnë pamje spektakolare, duke kaluar përmes fshatrave tradicionale dhe rrugëve historike që lidhin detin me zonat e brendshme”.
“Zona e Lazaratit një rajon me një histori unike dhe shpesh tabu, që tani po shndërrohet në një atraksion për ata që kërkojnë aventura dhe eksplorim në terrene të veçanta. Kalimi nëpër Zagorie dhe Lunxhëri, këto zona të mbrojtura ofrojnë rrugë të mrekullueshme, ura historike dhe një peizazh që mbetet i paprekur nga turizmi masiv”, shton ajo.
Fidhi vë në dukje se “këto ture janë krijuar për të ofruar një përvojë autentike dhe për të treguar pasuritë e Shqipërisë rurale dhe natyrën e saj të paprekur. Ky zgjerim na ka mundësuar të tërheqim turistë që janë të interesuar jo vetëm”.
Guidat një element i veçantë gjatë turit të kalërimit
Çdo tur udhëhiqet nga një guidë profesioniste dhe në mënyrë të veçantë, vetë themeluesit e kompanisë janë pjesë e grupeve kryesore të udhëheqësve të tureve.
“Kjo është një pjesë thelbësore e eksperiencës sonë, pasi ne jemi të angazhuar të ndajmë me pasion dhe përkushtim historinë dhe vlerat që na bëjnë të veçantë. Pavarësisht se kemi një ekip të trajnuar dhe shumë të përkushtuar, vetë themeluesit janë të pranishëm gjatë tureve për të siguruar një lidhje autentike dhe të thellë me turistët dhe për të përcjellë të gjitha ato elemente që janë thelbësore për historinë dhe trashëgiminë tonë”, theksoi Fidhi.
Përveç tyre, tha ajo, kemi një grup të rinjsh që janë të trajnuar posaçërisht për guidim dhe janë të angazhuar për të siguruar që çdo vizitor të ndjehet i mirëpritur dhe i informuar gjatë udhëtimit të tij.
Ata janë gjithashtu një pjesë e rëndësishme e ruajtjes dhe përhapjes së njohurive mbi traditat dhe kulturën e zonës.
“Për shembull, gjatë tureve në Zagori, guidat tona, ofrojnë informacion të detajuar mbi urat mesjetare, banesat tradicionale dhe stilin e jetesës së banorëve, duke ofruar gjithashtu histori që shtrihen përtej thjesht turizmit, duke ndihmuar vizitorët të kuptojnë më mirë dhe të lidhen emocionalisht me historinë dhe kulturën e zonës. Ky angazhim i drejtpërdrejtë nga themeluesit dhe ekipi i trajnuar kontribuon në krijimin e një përvoje unike, ku vizitorët jo vetëm që mësojnë për historinë dhe traditat, por gjithashtu lidhin emocionet e tyre me historinë tonë dhe me lidhjen e thellë që kemi me natyrën dhe jetën e përditshme të fshatrave”, tha Fidhi.
Risi të tjera përveç kalërimit për grupet turistike
Për të pasuruar eksperiencën e kalërimit dhe për t’i dhënë mundësi turistëve të zbulojnë thellësisht pasuritë natyrore, kulturore dhe historike të zonës “Caravan Horse Riding Albania” ofron edhe një gamë të gjerë aktivitetesh për të pasuruar eksperiencën e kalërimit dhe për t’i dhënë mundësi turistëve të zbulojnë thellësisht pasuritë natyrore, kulturore dhe historike të zonës.
Disa nga risitë që “Caravan Horse Riding Albania” ofron për grupet turistike janë:
Shijimi i verës në vreshta lokale, ku turistët mund të shijojnë verën tradicionale të zonës, të shoqëruar me këngë polifonike dhe muzikë nga artistë lokalë.
Klasa gatimi tradicional, ku pjesëmarrësit mësojnë të përgatisin specialitete të njohura shqiptare, si byrek, petanik, tava me mish dhe ushqime të tjera tradicionale, duke u njohur me teknikat dhe sekretet e kuzhinës shqiptare.
Ekskursione historike, duke përfshirë vizita në kalatë e lashta, kishat mesjetare dhe fshatrat e përgjumura, ku mund të mësojnë për kulturën dhe historinë e pasur të rajonit.
Evente kulturore, si mbrëmje me muzikë të orkestrave tradicionale, ku grupet mund të shijojnë performanca autentike dhe të angazhohen në aktivitete kulturore që i lidhin ata më shumë me trashëgiminë lokale.
Ture urbane dhe kulturore në qytet, ku turistët mund të vizitojnë atraksione kulturore dhe historike të Gjirokastrës dhe qyteteve të tjera përreth, duke eksploruar artin dhe kulturën e pasur të zonës.
Aktivitete kulinarie, si vizita në ferme dhe shijimi i produkteve të freskëta dhe organike, ku turistët mund të përjetojnë jetën rurale dhe të mësojnë mbi bujqësinë tradicionale.
Rafting, një eksperience emocionuese në lumenjtë e zonës, që ofron mundësi për aventurë dhe argëtim në ujë.
Buggy tours dhe off-road adventures, për ata që duan të eksplorojnë peizazhet e egra dhe të pasura të natyrës përmes ekskursioneve me buggy ose makina off-road.
Hiking nëpër malet dhe luginat e mahnitshme të Gjirokastrës dhe përreth, duke ofruar mundësi për ata që duan të zhyten thellë në natyrën e paprekur dhe të shijojnë pamje spektakolare.
Eksperienca të gdhendjes së drurit dhe ikonografisë ku vizitorët marrin me vete një souvenir te realizuar me duart e tyre.
“Të gjitha këto aktivitete janë krijuar për të ofruar një përvojë të pasur dhe të shumanshme për turistët që duan të përjetojnë çdo aspekt të Shqipërisë, duke e bërë çdo udhëtim një eksperiencë të paharrueshme dhe të thellë”, tha Fidhi.