Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i ka paralajmëruar amerikanët se mund të përballen me “vuajtje” ekonomike, për shkak të tarifave tregtare që sapo i ka vendosur ndaj partnerëve tregtarë të SHBA-së.

Ai gjithashtu kërcënoi me luftë më të gjerë tregtare, për t’i përfshirë edhe Bashkimin Evropian (BE) dhe, mbase, edhe Britaninë e Madhe.

“A do të ketë vuajtje? Po, mbase (dhe mbase jo!)” shkroi Trump më 2 shkurt në platformën e vet sociale në lidhje me ndikimin që mund ta kenë tarifat te konsumatorët amerikanë.

“Megjithatë, do t’ia vlejë barra qiranë”, shtoi ai.

Trump u tha gazetarëve se synon të bisedojë me liderët e Kanadasë dhe Meksikës, më 3 shkurt, në lidhje me tarifat – të cilat ekspertët thonë se mund ta trazojnë ekonominë botërore.

Por, Trump nuk tregoi nëse po i rishqyrtonte veprimet e tij.

“Nuk pres asgjë shumë dramatike”, tha ai.

Trump tha se tarifat ndaj mallrave nga BE-ja do të “vendosen patjetër” dhe se kjo do të ndodhë “shumë shpejt”.

Ai gjithashtu la të kuptohej se edhe Britania e Madhe mund të përballet me tarifa.

BE-ja tha më 2 shkurt se do të kundërpërgjigjej “fuqishëm”, nëse Trumpi vendos tarifa, pavarësisht se shpreson në shmangien e një lufte tregtare përmes bisedimeve.

“Bashkimi Evropian shpreh keqardhje për vendimin e SHBA-së për të vendosur tarifa ndaj Kanadasë, Meksikës dhe Kinës”, tha një zëdhënës i Komisionit Evropian.

Vendet e prekura – Kanadaja, Meksika dhe Kina –kanë kërcënuar se do të ndërmarrin veprime hakmarrëse, derisa gjithashtu kanë bërë thirrje për bisedime tregtare në vend të tarifave, të cilat mund t’i rrisin çmimet për konsumatorët dhe t’i dëmtojnë ekonomitë e të gjitha palëve të përfshira.

Trump tha se ai i vendosi këto tarifa ndaj fqinjëve të SHBA-së derisa të ndalet fluksi i emigrantëve dhe i fentanilit të paligjshëm në Shtetet e Bashkuara, megjithëse shkaktari i këtyre çështjeve është shumë i diskutueshëm dhe përfshin një sërë faktorësh të ndërlikuar.

Ai gjithashtu ka thënë se këto tarifa do të ndihmojnë në uljen e deficitit tregtar me partnerët kryesorë dhe do të nxisin prodhimin industrial në SHBA.

Trumpi e bëri të ditur premtimin e kamotshëm ekonomik më 1 shkurt, duke thënë se Uashingtoni do t’i godasë Kanadanë dhe Meksikën me tarifa prej 25 për qind për të gjitha mallrat, megjithëse produktet energjetike kanadeze do të përballen me një tarifë prej 10 për qind. Tarifat e reja përfshijnë gjithashtu një taksë prej 10 për qind për mallrat nga Kina, përveç atyre të vendosura më parë.

Trump tha se tarifat për mallrat nga të tre vendet do të hyjnë në fuqi më 4 shkurt.

Ai nuk i kushtoi rëndësi kërcënimit të Kanadasë për veprime hakmarrëse, duke thënë: “Nëse duan ta luajnë lojën, nuk e kam telash. Mund ta luajmë lojën sa të duan ata”.

Trump shkroi se, pa tregtinë me SHBA-në, “Kanadaja nuk do të jetë vend i qëndrueshëm. E vrazhdët, por e vërtetë! Prandaj, Kanadaja duhet të bëhet shteti ynë i dashur i 51-të. Taksa shumë më të ulëta dhe mbrojtje shumë më e mirë ushtarake për popullin e Kanadasë – DHE ASNJË TARIFË!”

Kryeministri kanadez, Justin Trudeau, tha se tarifat hakmarrëse ndaj importeve nga Shtetet e Bashkuara do të hyjnë në fuqi më 4 shkurt.

Trudeau ka njoftuar synimin për t’u larguar nga posti i kryeministrit, dhe partia e tij Liberale do ta zgjedhë liderin të ri më 9 mars. Zgjedhjet pritet të mbahen në pranverë.

Kanadaja synon të vendosë tarifa prej 25 për qind ndaj importeve nga SHBA-ja, duke përfshirë pijet, produktet kozmetike dhe letrën.

Presidentja meksikane, Claudia Sheinbaum, tha se do të japë hollësi mbi përgjigjen e vendit të saj më 3 shkurt.

Edhe Kina ka thënë se do t’i kundërpërgjigjet Trumpit.

REL