Miliarderi amerikan, Elon Musk, ka vazhduar akuzat ndaj organizatave amerikane që ndajnë programe dhe grante në shtetet e huaja. Musk, i cili u emërua nga Presidenti i SHBA Donald Trump për të udhëhequr Departamentin e Efikasitetit të Qeverisë (DOGE), e ka konsideruar Agjencinë për Zhvillim Ndërkombëtar, e njohur si (USAID) një “organizatë kriminale”, pasi zyrtarët e sigurisë thuhet se u mohuan anëtarëve të grupit të tij të punës për uljen e kostove aksesin në zonat e kufizuara të agjencisë.
“USAID është një organizatë kriminale,” shkroi Musk, pronari miliarder i Tesla dhe SpaceX, i cili është bërë mbështetësi më i fuqishëm i presidentit, në platformën e tij X, duke iu përgjigjur një videoje që pretendonte përfshirjen e USAID në “punën mashtruese të CIA-s” dhe “censurën e internetit”.
Në një tjetër postim në rrjetin social “X”, Musk i dyfishoi akuzat e tij ndaj USAID, dhe pa dhënë dëshmi, shkruan për 215 milionë ndjekësit e tij: “A e dini se USAID, duke përdorur dollarët TUAJ tatimorë, financoi kërkime për armët biologjike, përfshirë Covid-19, që vrau miliona njerëz?”
“USAID” është e ligë”,- shkruan Musk në një tjetër postim, teksa ka ndarë një video ku ngrihen pretendime se USAID ka financuar kërkimin për Coronavirus në Wuhan Kinë.