Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu ishte i pari që mori fjalën nga skena e ngritur para Kryeministrisë, në protestën kombëtare që opozita po zhvillon në Tiranë.
Ai u shpreh se populli opozitar ndodhet sot në shesh për t’i treguar kryeministrit Edi Rama se janë të lirë dhe nuk i tremben pushtetit të tij.
Ne jemi këtu të gjithë së bashku. Nuk je mi për pushtetin por për shtetin e shqiptarëve. Jemi në emër të prindërve tanë që na dedikuan sakrificat dhe jetën e tyre dhe që sot qeveria tallet me ta me pensione qesharake.
Jemi në emër të rinisë, të intelektualëve që janë përzënë qëllimisht nga qeveria rrugëve të botës me qëllim që këtu njerëzit të mos kenë forcë e zë.
Jemi këtu në emër të asaj që ndërtuam dhe po shkatërrohet. Ne jemi ata që hapëm rrugën e ndryshimit për ta bërë Shqipërinë si gjithë Evropa dhe që e bëmë Shqipërinë vend anëtar të NATO-s”, tha Mediu.
Sipas Mediut, “qeveria e sotme kërkon që duke shitur propagande, shqiptarët të besojnë se ka vetëm një forcë dhe kjo është qeveria, kryeministri dhe Partia Socialiste”.
“Nuk është qeveria forca, janë shqiptarët e lirë dhe të bashkuar kundër krimit dhe korrupsionit për të bërë ndryshimin e madh”, tha Mediu.