Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale disa foto nga vizita në Madrid, ku Shqipëria “mori stafetën e organizimit të Kongresit Botëror të Ligjit në vitin 2027, “World Law Congress Albania 2027”, e cila do të sjellë rreth tre mijë juristë nga gjykatat supreme dhe sistemet gjyqësore të shumë vendeve të botës.
Rama nënvizoi po ashtu se gjatë këtij aktiviteti “pata privilegjin e jashtëzakonshëm të takohesha edhe me dy legjenda të socialistëve evropianë, Felipe Gonzalez e Javier Solana”.
Kreu i qeverisë ndau edhe foto nga takimi me mbretin Filipe VI në Pallatin Mbretëror Zarzuela.
Gjatë një interviste për mediat Rama u shpreh se ndihet mirënjohës për fjalët inkurajuese për betejën për të reformuar drejtësinë në Shqipëri e për ta bërë atë anëtare krenare në BE. Rama theksoi se shteti i së drejtës është i vendosur njëherë e përgjithmonë.
“Fakti që Shqipëria do të mirëpres kongresin botëror të drejtësisë është shpërblimi më inkurajues për të gjitha përpjekjet dhe arritjet tona”, u shpreh Rama.