Duke miratuar një strategji ndaj Rusisë që të kujton negociatat politike britanike dhe franceze kundrejt Gjermanisë naziste në vitin 1938, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, thjesht ka siguruar e Evropa nuk do ta arrijë paqen në epokën tonë. Megjithatë, këtë herë, Franca dhe Britania kanë mjetet e nevojshme për të shmangur një katastrofë.
Nga Harold James
Presidenti amerikan Donald Trump thotë se dëshiron të sjellë paqen në Ukrainë. Por qasja e tij nuk mund të funksionojë, sepse ajo nuk arrin të adresojë problemin e garancive të sigurisë. Nuk do të ketë paqe për sa kohë që Ukraina duhet të përballet e vetme me Rusinë.
Por ndoshta kjo e metë mund të kapërcehet. Në teori, inovacioni teknik në miniaturizimin e luftës mund të ofrojë mënyra të reja për të garantuar paqen dhe Franca dhe Mbretëria e Bashkuar – të dyja fuqi bërthamore – mund të ndërhyjnë ndërsa Amerika tërhiqet.
Tani është momenti i duhur për të marrë në konsideratë mundësi të tilla. Ndërsa fliste në Grupin e Kontaktit të Mbrojtjes së Ukrainës në Bruksel këtë javë, Sekretari amerikan i Mbrojtjes Pete Hegseth duket se sapo ka hequr dorë nga shumë elementët kyç që do të ishin subjekt i negociatave. Madje, përpara se bisedimet të kenë filluar, SHBA-ja thotë se do t’i imponojë humbje territori Ukrainës dhe do ta ndalojë atë të anëtarësohet në NATO. Më keq akoma, këto komente u pasuan menjëherë nga një postim euforik në rrjetet sociale nga Trump për një bisedë që ai pati me presidentin rus Vladimir Putin.
Me të dyja palët që po i afrohen rraskapitjes në këtë luftë të gjatë, nuk është marrëzi të shqyrtohen opsionet për arritjen e një paqeje të qëndrueshme në mungesë të kapitullimit të plotë nga njëra palë. Por rruga që Trump ka zgjedhur të çon drejtpërdrejt në një drejtim të pamundur. Një zgjidhje e qëndrueshme dhe e besueshme kërkon heqjen e shkakut të luftës. Por cili është shkaku i luftës?
Për ukrainasit, shkaku është vendimi i Putin për të nisur një pushtim në shkallë të plotë më 24 shkurt 2022. Heqja e shkakut do të kërkonte një ndryshim në qeverinë ruse – një rezultat i pamundur.
Për Putinin, shkaku është ajo që ai e sheh si një qeveri jo legjitime në Ukrainë. Në fakt, siç e bëri të qartë në një ese të gjerë të botuar në korrik 2021, ai mohon legjitimitetin e vetë pavarësisë së Ukrainës. Kështu, heqja e shkakut të luftës për të do të kërkonte eliminimin e Ukrainës si një shtet-komb sovran.
Historia është plot ironi dhe vala e fundit e nismave të paqes vjen pak përpara Konferencës së Sigurisë së Mynihut, një takim i mbajtur disa qindra metra larg vendit të përpjekjes më famëkeqe të dështuar paqebërëse në historinë moderne. Aty, në vitin 1938, Adolf Hitleri arriti të bindë Britaninë dhe Francën se Çekosllovakia, jo Gjermania naziste, ishte shkaku i konfliktit në kontinent.
Pas një muaji diplomacie në krizë, liderët britanikë, francezë dhe italianë u takuan me Hitlerin në Führerbau (“ndërtesa e Fyhrer-it”) në Mynih dhe i imponuan një zgjidhje politike Çekosllovakisë, duke i hequr asaj të ashtuquajturin Sudetenland, një rajon perëndimor me një pakicë të konsiderueshme gjermanishtfolëse që ishte radikalizuar nga propaganda naziste.
Megjithëse marrëveshjet e paqes shpesh nxiten nga një neveri ndaj tmerreve të luftës, ato gjithashtu shpesh krijojnë terrenin për konflikte të reja. Në një fjalim radiofonik të 27 shtatorit 1938 drejtuar popullit britanik, kryeministri Neville Chamberlain reflektoi mbi “Sa e tmerrshme, fantastike, e pabesueshme është që ne duhet të hapim llogore dhe të provojmë maska gazi këtu për shkak të një mosmarrëveshjeje në një vend të largët midis njerëzve për të cilët nuk dimë asgjë”. Brenda një viti, britanikët po vendosnin maska gazi dhe po ndërtonin mbrojtje.
Ndërkohë, në Francë, argumenti për paqen (zbutjen) në 1938 dhe 1939 u distilua në pyetjen: “Mourir pour Dantzig?” (“Të vdesësh për Gdanskun?”). Por ata që besonin se ishin të sigurt përmes diplomacisë së zgjuar, shumë shpejt po vdisnin për Francën.
Gjuha e paqebërjes së dështuar ndjek një model të njohur. Fillimisht, na thuhet se të mëdhenjtë do të merren me këtë duke anashkaluar vendet më të vogla të bezdisshme me historitë e tyre të ndërlikuara. Siç tha Trump për bisedën e tij me Putin-in, “Ne të dy reflektuam mbi Historinë e Madhe të Kombeve tona”. Fuqitë e mëdha evropiane shfaqën të njëjtën arrogancë në vitin 1938.
Së dyti, na thuhet se logjika e thjeshtë do të mjaftojë. Ose siç e tha Trump, “Presidenti Putin përdori edhe moton shumë të fortë të fushatës sime “MENDIMI PRAKTIK”. Ishte gjithashtu mendim praktik që çështja sudete, jo dëshira e Hitlerit për të bashkuar Evropën nën sundimin nazist, ai që ishte në zemër të krizës së vitit 1938.
Së treti, paqeruajtësit përmendin kërcënimin e kolapsit të qytetërimit. Rusia ka kërcënuar vazhdimisht me luftë bërthamore dhe frika të ngjashme për përshkallëzim i dhanë formë vendimmarrjes britanike në fund të viteve 1930. “Triumfi i vërtetë”, i tha Chamberlain Dhomës së Komunëve më 3 tetor 1938, “është se … përfaqësuesit e katër fuqive të mëdha mund ta kenë të mundur të bien dakord për një mënyrë për të kryer një operacion të vështirë dhe delikat me anë të diskutimit në vend të forcës së armëve, dhe në këtë mënyrë ata kanë shmangur një katastrofë që do t’i kishte dhënë fund qytetërimit siç e kemi njohur ne”.
Pra, triumfi i vërtetë do të kishte qenë ngrirja e konfliktit derisa të mund të gjendej një zgjidhje e vërtetë. Kjo mund të zgjasë me dekada, si në Gjermaninë e pasluftës, ose edhe më gjatë, si në Gadishullin Korean që nga armëpushimi i vitit 1953. Mund të ketë një shkrirje graduale, siç ndodhi në marrëdhëniet midis Gjermanisë Lindore dhe Perëndimore, ose mund të mos ketë fare. Gjithsesi, Gjermania Perëndimore dhe Koreja e Jugut të dyja mbetën të sigurta pas ndalimit të luftimeve sepse ato mbroheshin nga kuadri i ndalimit të Luftës së Ftohtë i Perëndimit.
Po kështu, ndalimi efikas është çelësi për të garantuar që konflikti në Ukrainë të mbetet vërtet i ngrirë dhe që Rusia të mos e përdorë këtë ngrirje thjesht për të rritur kapacitetin e saj ushtarak derisa të mund të përdorë një forcë të parezistueshme. Gjatë Luftës së Ftohtë, një ndalim i tillë u arrit me kërcënimin e shkatërrimit të ndërsjellë. I njëjti mekanizëm mund të ofrojë një rrugëdalje tani.
Ai mund të zbatohet nga Franca dhe Britania e Madhe, të cilat, së bashku me SHBA-në dhe Rusinë, janë palë në Memorandumin e Budapestit të vitit 1994, ku Ukraina ra dakord të heqë dorë nga më shumë se 1,700 armë bërthamore të epokës sovjetike në këmbim të premtimit të palëve të tjera që ato do të garantonin integritetin territorial të Ukrainës. Ose Franca ose Britania e Madhe – ose mundësisht të dyja – mund të furnizojnë me armë bërthamore Ukrainën dhe çdo objektiv tjetër të cenueshëm të agresionit rus.
Nëse Britania dhe Franca do të kishin qenë në gjendje të armatosnin Çekosllovakinë në mënyrë efektive në vitin 1938, nuk do të kishte pasur një pushtim gjerman dhe ndoshta nuk do të kishim pasur Luftën e Dytë Botërore. Por kjo thjesht nuk ishte e mundur në atë kohë. Sot është ndryshe. Franca dhe Britania zotërojnë mjetet e duhura për ndalimin dhe transferimet teknologjike janë shumë më të lehta.
Tashmë flitet prej kohësh për gjetjen e një forme të re multilateralizmi në një botë që po bëhet gjithnjë e më e fragmentuar dhe multipolare. Franca dhe Britania kanë një shans për të treguar se si mund të funksionojë kjo zgjidhje dhe se si mund të risjjellë pak paqe dhe siguri në një botë që po lëkundet në buzë të greminës.
Alternatives to Trump’s Russia Appeasement