Gazetari i njohur i “New York Times”, i ka kthyer përgjigje akuzave të kryedemokratit Sali Berisha. Kenneth P. Vogel, me anë të një sqarimi në “X”, ka mohuar akuzat e Sali Berishës, i cili pretendoi se kryeministri Edi Rama ka paguar 150 mijë euro për artikullin që u publikua dje në median prestigjoze amerikane. Gazetari thekson se as ai dhe as gazeta nuk janë paguar për intervistën me Chris LaCivita, i cili këto zgjedhje është angazhuar pranë Partisë Demokratike.
“Sali Berisha, lideri i opozitës shqiptare, duket se po akuzon kryeministrin shqiptar Edi Rama se më ka paguar mua (ose @nytimes) 150 mijë euro për të shkruar një histori për partinë e Berishës që punëson ChrisLaCivita. Akuza e Berishës është e rreme,”-shkruan gazetari.
Dje, Berisha tha se kryeministri Edi Rama ka ndërmarrë përpjekje për ta sulmuar atë personalisht, përfshirë pagesën e 150 mijë eurove për një hapësirë në “New York Times”, ku sipas Berishës, u botua një artikull kundër tij.
“Edi Rama është i shkallmuar. Nuk e shndërruam ne në kukull të George Soros, ai e bëri vetë këtë zgjedhje…Kjo i është kthyer në boomerang, pasi dje njëri nga dy strategët e rikthimit më madhështor të Donald Trump deklaroi për ‘New York Times’ se në Shqipëri ka ardhur për të vazhduar punën e Trump, për ta bërë Shqipërinë të madhe përsëri, dhe se Edi Rama është një kukull e George Soros,” tha ai, duke iu referuar intervistës së fundit të Chris LaCivita në NYT,”- tha Berisha.
Pas akuzave të Berishës, përgjigjia nga Vogel erdhi sot.